AlbanianSport.com 24/04/2020 17:10
ASNN – Ai është shndërruar në një lojtarët më të përfolur të merkatos që është ringjallur në mungesë të futbollit të luajtur për shkak të shpërthimit të epidemisë së koronavirusit në shkallë globale. Adresat e mundshme të tij për sezonin e ardhshëm janë të bujshme, mjafton të përmendim Borusian e Dortmundit në Gjermani apo kampionen në fuqi të Evropës, Liverpuli. Por vetë futbollisti dhe familja e tij nuk janë shprehur mbi këtë çështje, edhe për arsye se agjenti i tij, ish-futbollisti i Kombëtares kuqezi, Altin Lala, preferon t’i mbajë ngjitur pranë gjoksit “kartat” e tij.
Ndërkohë, është Drejtori Sportiv i klubit aktual të futbollistit, Verder Bremenit, Frank Bauman, ai që shprehet i sigurt se spekulimet për të ardhmen e yllit të përfaqësueses së Kosovës, Milot Rashica, nuk do të ndikojnë te paraqitjet e tij. Për 23-vjeçarin kosovar janë interesuar edhe në të kaluarën shumë klube, por Baumani beson se Rashica nuk është ndikuar kurrë nga këto spekulime dhe një gjë e tillë thotë se s’do të ndodhë as tani. “Spekulimet për transferimin e tij kanë qarkulluar prej gati një viti dhe Miloti është përballur me të gjithë këtë shumë mirë”, – ka thënë Baumani për “Bild”-in.
“Kështu që unë nuk jam i sigurt se kjo do të ketë ndikim te ai”, – ka shtuar ai, duke folur për të përditshmen më të madhe gjermane, e cila raporton gjithashtu edhe se çmimi i klauzolës për shkëputjen e kontratës së Milot Rashicës me Bremenin do të zbresë nga 38 milionë në 15 milionë Euro, nëse klubi bie nga Bundesliga e parë. Aktualisht, Bremeni është në vendin e parafundit, atë të 17-tin, në tabelën e renditjes së Bundesligës dhe, nëse nuk ngjitet lart kur të rinisë kampionati, atëherë klubi do të bjerë nga niveli më i lartë i kampionatit gjerman të futbollit.
Verder Bremeni ka grumbulluar vetëm 18 pikë nga 24 ndeshjet e zhvilluara deri më tani dhe do të shpresojë që, të paktën, të ngjitet deri në vendin e 16-të, ku do të luante në “play-off” dhe s’do të binte automatikisht nga kategoria, ose më lart, për t’i shpëtuar plotësisht zonës së rrezikut. E përderisa tifozët e Bremenit shpresojnë që klubi i tyre të shfaqë formë më të mirë pasi të rinisë kampionati, që është ende i pezulluar për shkak të koronavirusit, tifozët e klubeve që po e kërkojnë Rashicën shpresojnë që kriza e Bremenit të vazhdojë deri në fund.
Në këtë mënyrë, klubet e interesuara për Rashicën do ta kenë më të lehtë ta synojnë futbollistin e talentuar, pasi ai do të jetë në dispozicion për ta vetëm për 15 milionë Euro. Ky është një lajm i mirë, veçanërisht për klubet, tani pas krizës së koronavirusi, që u ka sjellë atyre edhe dëme financiare. Ndër klubet më të interesuara për Rashicën janë edhe Leipzigu, Borusia e Dortmundit dhe Liverpuli. Kjo e fundit kishte shfrytëzuar një klauzolë të ngjashme me atë të Rashicës kur e kishte marrë Xherdan Shaqirin nga Stouk Siti, që asokohe ra nga kategoria.