AlbanianSport.com 23/04/2020 23:55
ASNN – Duke folur posaçërisht për Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar nga shtëpia e tij, 63-vjeçari Xhovani De Biazi ka rrëfyer shqetësimin e tij për të bijën mjeke, karantinën, Kombëtaren, kuqezinjtë dhe pasardhësin e tij në stolin e Shqipërisë, Edi Rejën.
Padyshim trajneri më i suksesshëm në historinë e Kombëtares, italiani e vlerëson lart pasardhësin në stolin kuqezi dhe bashkatdhetarin e tij 74-vjeçar dhe i uron atij dhe Shqipërisë me gjithë zemër suksese. “Edi Reja është një trajner me një përvojë të madhe, një trajnerë që ka bërë karrierë”, – ka thënë De Biazi.
“Ai ka drejtuar në të gjitha skuadrat italiane, ka drejtuar edhe në Kroaci, – ka vijuar ish-trajneri kuqezi. – Ai është një njeri me një ekuilibër të madh, me kapacitet të madh, di t’u bëjë ballë situatave të ndryshme dhe prandaj besoj që do të bëjë një punë të madhe me Kombëtaren shqiptare.”
“Unë besoj se ai është njeriu i duhur për këtë projekt dhe uroj që t’ia dalë me sukses. Ia uroj me gjithë zemër, sepse jemi miq dhe dëgjohemi shpesh. Ç’mund të them tjetër…? I uroj gjithë të mirat! Forca Shqipëria e Madhe!” – ka përfunduar ish-trajneri i Kombëtares kuqezi, Xhovani De Biazi.