AlbanianSport.com 23/04/2020 22:25
ASNN – Fati i Xhovani De Biazit duket se është lidhur pandarshmërisht me Shqipërinë dhe ai gjithmonë e mban kokën prapa, edhe pse për momentin në një nga zonat më të prekura nga koronavirusi në Itali. Në intervistën dhënë Rrjetit të Radio-Televizionit Shqiptar, ai vlerëson lart ish-lojtarët e Kombëtares së tij, por edhe të rinjtë shqiptarë që po spikatin në Serinë A.
“Qartësisht, i ndjek gjithmonë lojtarët e Kombëtares shqiptarë, aq më tepër ata që i njihja nga afër, – ka thënë ai. – Dhe jam shumë i kënaqur kur shoh Berishën, apo Strakoshën, Hysajn dhe gjithë të tjerët që luajnë jashtë apo në Itali, sepse është më e lehtë të ndjek ata që luajnë këtu. Por jam shumë i kënaqur me ta. Jam shumë i lumtur me Amir Rrahmanin, që ka përjetuar atë shpërthim të madh me Veronën.”
“Dhe nuk kisha asnjë dyshim, teksa verën e shkuar pata deklaruar në “Gazzetta Dello Sport” se Verona kishte bërë një investim të madh, – ka thënë italiani. – Kumbulla është një tjetër lojtar që unë nuk e kisha në Kombëtare, por e ndiqja me Shpresat kuqezi, atëherë një djalosh shumë i ri, sepse bëhet fjalë për 4 vitet më parë, kur ishte një lojtar që po shkonte drejt formacionit bazë.”
“Sot ai është një nga lojtarët më interesantë të Serisë A dhe uroj që të piqet plotësisht dhe t’i japë një ndihmë të madhe Shqipërisë”, – ka përfunduar De Biazi.