AlbanianSport.com 23/04/2020 21:40
ASNN – Ishte njoftuar më parë dhe tanimë UEFA e ka bërë realitet premtimin e saj, teksa ka shpërndarë para kohe 70 milionë Euro, nga të cilat, ndonëse në një shkallë modeste, do të përfitojnë edhe dy klube shqiptare. Shpërthimi i koronavirusit ka shkaktuar një krizë ekonomike në botën e futbollit dhe klubet do i ndjejnë më vonë pasojat e mëdha. Për këtë arsye, UEFA ka vendosur t’i ndihmojë sadopak. Komiteti Ekzekutiv i organizmit që qeveris futbollin evropian ka vendosur të bëjë menjëherë pagesat kontribuese në lidhje me klubet që kanë dërguar lojtarë në kombëtare.
Paga që në fakt duhet të bëheshin në mbyllje të Evropianit të 2020-ës, që është shtyrë për vitin që vjen, atëherë kur, teorikisht, do të përllogariteshin e përfitimet. Pagesat që arrijnë shumën e 70 milionë Eurove dhe përfshijnë 676 skuadrat e 55 Federatave anëtare të UEFA-s, ishin parashikuar të kalonin pas përfundimit të ndeshjeve të “play-off”-eve të Ligës së Kombeve të Evropës, por diçka e tillë do të ndodhë tani. 2.7 milionë Euro shkojnë për lojtarët që do të marrin pjesë në duelet e “play-off”-eve të nëntorit, aty ku përfshihet edhe Kosova.
Ajo do të përballet me Maqedoninë e Veriut në fazën gjysmëfinale të Ligës së Kombeve. 50 milionë Euro do t’u ndahen klubeve që kanë dërguar lojtarë në 39 ekipet përfaqësuese që morën pjesë në fazën eliminatore. 17.7 milionë euro do të ndahen mes klubeve që kanë dërguar futbollistë në 16 ekipet përfaqësuese që do të përballen mes tyre në ndeshjet e “play-off”-it. UEFA dhe Shoqata e Klubeve Evropiane (ECA) kanë një fond total prej 200 milion eurosh në dispozicion të klubeve të futbollit. 70 milion për ndeshjet e fazës eliminatore dhe Ligën e Kombeve, do të shpërndahen menjëherë.
Ndërsa 130 milion eurot e mbetura do t’u ndahen klubeve që dërgojnë lojtarë në Evropianin e së vitit 2021. Nga këto pagesa do të përfitojnë një numër shumë i madh i klubeve në të gjithë Evropën, që do t’i ndihmojë ata për të përballuar sadopak këtë krizë. 676 ekipe të 55 Federatave të lidhura me UEFA-n, do të marrin shuma që variojnë nga 3,200 deri në 630,000 euro për kontributin e tyre në kualifikueset evropianë dhe Nations League të UEFA-s. Partizani dhe Laçi janë dy skuadrat shqiptare që do të përfitojnë.
Kampionët në fuqi kanë dërguar Lorenc Trashin dhe Alban Hoxhën në kombëtare, ndërsa bardhezinjtë ish-portierin Gentian Selmani. Ndonëse përllogaritjet janë të ndërlikuara, pasi duhet numëruar ndeshjet në të cilat këta lojtarë kanë qenë të grumbulluar me Kombëtaren kuqezi, është e sigurt që, në versionin më të keq, këto dy skuadra shqiptare do të përfitojnë disa mijëra Euro, të dobishme dhe të mirëpritura sidoqoftë në këtë periudhë krize.