AlbanianSport.com 23/04/2020 20:10
ASNN – Në fakt, zhvendosjet me një vit, të parat në historinë sportive në kohë paqeje kanë ngritur edhe një dilemë për dy veprimtaritë më madhore sportive që ishin planikuar për vitin 2020, atë të emrit. Si Evropiani i futbollit të meshkujve, ashtu edhe Lojërat Olimpike të Tokios, janë shtyrë për vitin 2021, ndërsa pyetja që ka lindur sesi do të emërtoheshin ato në versionin e ri, “Euro 2020” dhe “Tokio 2020”, apo “Euro 2021” apo “Tokio 2021”?
Më së fundmi është UEFA që ka marrë një vendim sa i përket veprimtaritë së saj më madhore të ekipeve përfaqësuese. Pavarsisht se “Euro 2020” është shtyrë për në vitin 2021, për shkak të shpërthimit të epidemisë së koronavirusit, ky kampionat do të vazhdojë të mbajë emrin fillestar, ka bërë të ditur organizmi që qeveris futbollin evropian. “Euro 2020” do të jetë edicioni i 60-të i Kampionatit Evropian të Futbollit, me të parin të mbajtur në vitin 1960.
Por edicioni i këtij viti u shty për në verën e vitin 2021 pas shpërthimit të koronavirusit. Emri u kthye në çështje, ama UEFA ka vendosur të mbajë emrin e parë. “Kjo zgjedhje është në përputhje me angazhimet e UEFA-s dhe synon të mos shkaktojë humbje të mëtejshme, – thuhet në njoftimin e UEFA-s. – Shumë materiale me emrin “Euro 2020” janë prodhuar. Ndryshimi i emrit do të sillte shkatërrimin e këtyre produkteve.”
Për më tepër, ndryshimi i emrit do të nënkuptonte rishikimin dhe nënshkrimin edhe një herë të të gjitha kontratave sponsorizuese apo të reklamave, çka përfaqëson një vëllim të jashtëzakonshëm pune, por po ashtu edhe kosto shtesë. Për të njëjtat arsye, më herë, Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC) dhe Komiteti Organizator i Lojërave Olimpike vendosën që, edhe pse u shtynë për në 2021-shin, ato do të vazhdojnë të quhen “Tokio 2020”.