AlbanianSport.com 23/04/2020 17:55
ASNN – Sikundër 35,023 banorët e qytezës së Koneljanos, e cila është pjesë e rajonit të Venetos në provincën e Trevizos, edhe Xhovani de Biazi po e respekton karantinën e vendosur në shkallë kombëtare në Itali, por sikundër çdo prind, shqetësimi i tij kryesor mbetet e bija, e cila është mjeke në Padova.
“Gjendja e koronavirusit këtu në Koneljano, nuk është edhe aq shqetësuese, – ka thënë 63-vjeçari, në një intervistë të dhënë për Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar. – Për ta përmbledhur, është një gjendje nën kontroll, autoritetet rajonale kanë punuar mirë dhe, për më tepër, kemi një sistem shëndetësor mjaft të mirë, edhe pse duhet thënë se edhe ne kemi patur viktima.”
“Prandaj duhet të synojmë të mos dalim, të shmangim sa më tepër të mundur infektimin, – ka vijuar ai. – Problemi ynë është vajza jonë, e cila është mjeke në Spitalin e Padovës. Ajo është okuliste dhe nuk përballet direkt me koronavirusin, por nuk e fsheh që kjo nuk është edhe aq e pëlqyeshme për mua, për time shoqe, sepse jemi të shqetësuar.”)