AlbanianSport.com 22/04/2020 20:55
ASNN – Për herë të parë, organizmi kontinental dorëzohet sa i përket fatit të sezonit futbollistik, duke ua lënë në dorë gjithçka qeverive. Përkundër “koracës së hekurt” me të cilën ishte mburrur deri më tani, edhe UEFA tanimë është dorëzuar dhe ka ngritur duart lart përballë koronavirusit. Edhe përtej presionit nga sponsorët në një sport që shpesh sfidon edhe logjikën ekonomike në transaksionet e tij, organizmi që qeveris futbollin kontinental duket se e ka pranuar, për herë të parë, se fati i garave të saj nuk është më në duart e saj.
Është thënë gjatë këtyre javëve të fundit që epidemia e koronavirusit do të ndryshojë shumëçka në botë dhe kështu ka ndodhur edhe në sport. Si rrallëherë më parë, ky virus i vogël, mikroskopik, ka goditur edhe organizma deri dje të paprekshëm, siç është rasti i atyre që administrojnë futbollin ndërkombëtar. Edhe pse në video-konferencën e së martës me Sekretarët e Përgjithshëm të 55 Federatave anëtare të saj, UEFA ka këmbëngulur që të përmbyllet sezoni aktual nëpër kampionatet kombëtare, duke dhënë si argument faktin që, për këtë qëllim, ajo ka shtyrë edhe Evropianin e 2020-ës, prapëseprapë gjithçka do të varet jo prej saj, por prej qeverisë së çdo vendi.
Ndonëse Federata Shqiptare e Futbollit ka qenë e rezervuar në informacionin që ka shpërndarë mbi këtë video-konferencë, ajo e Kosovës ka thënë se do t’i nisë përgatitjet për rinisjen e sezonit 2019-2020 në Superligë, pasi i është kërkuar nga UEFA që kampionati të përmbyllet, maksimumin, deri më 20 gusht, edhe pse rikthimit i futbollit varet nga gjendja e epidemisë së koronavirusit në vend. Por, në krahun tjetër, Belgjika është vendi i parë, sipas të gjitha gjasave, e ka përfunduar sezonin 2019-2020 para kohe, një javë para përmbylljes së tij.
Titulli i është dhënë Klub Bryzhit, i cili tashmë ishte shpallur sidoqoftë “kampione”. Ndërkohë, sezoni pritet të përfundojë para kohe edhe në Holandë, aty ku qeveria e vendit e zgjati karantinën deri më 1 shtator 2020. Edhe në versionet më optimiste, si Gjermania, futbolli nuk pritet të fillojë para mesit të majit, ndërsa qarkullojnë versione të pafundme mbi fatin e Serisë A në Itali, të Premier Ligës në Angli apo të Ligës 1 në Francë, por sidomos të dy veprimtarive madhore të futbollit kontinental të klubeve, Ligës së Kampioneve dhe Ligës së Evropës.
Megjithatë, gjithçka mbetet për t’u parë se çfarë do të vendoset në video-konferencën që do të mbajë të enjten Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s, i cili pritet të sqarojë shumëçka sa u përket fateve të këtij sezoni futbollistik.