AlbanianSport.com 21/04/2020 23:30
ASNN – Organizmi që qeveris nivelin më të lartë të kampionatit italian të futbollit, “Lega Seria A” ka njoftuar se gjitha 20 klubet e saj kanë rënë dakord që sezoni aktual të luhet dhe të mbyllet, duke ia kaluar tanimë “topin” qeverisë në këtë çështje. Siç dihet, duke qenë një nga vendet më të goditura, kampionati i Italisë është pezulluar për shkak të koronavirusit.
“Asambleja e Lega Serie A është takuar këtë mëngjes dhe ka konfirmuar, me votim unanim të 20 klubeve në një video-konferencë, qëllimin për ta përmbyllur sezonin 2019-2020, nëse qeveria e lejon këtë, dhe në përputhje të plotë me rregullat për mbrojtje të shëndetit dhe sigurisë, – thuhet në një komunikatë për shtyp të lëshuar nga Lega. -Rikthimi do të bëhet në pajtim me FIFA-n e UEFA-n.”
“Por edhe me vendimet e Federatës Italiane të Futbollit (FIGC), si dhe në respektim të protokolleve mjekësore për të mbrojtur lojtarët dhe stafin”, – shton komunikata. Më herët është raportuar se janë disa klube që po kundërshtojnë përmbylljen e sezonit. Midis më të zëshmëve ka qenë presidenti i Breshias, Masimo Çelino, që ka kërcënuar me bojkot të ndeshjeve.
Ndërkohë, në një zhvillim tjetër sa i përket këtij momenti tepër të vështirë për rifillimin e sezonit, presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Italian (CONI), Xhovani Malago, është shprehur besimplotë se stërvitja do të rifillojë në datë 4 maj. Malago u shpreh se po përgatisin gjithçka për rifillimin, i cili sigurisht do të bëhet vetëm duke zbatuar me përpikëri të gjitha udhëzimet e miratuara me ministrin Spadafora.
Ai shtoi se vendimi përfundimtar i përket qeverisë. “Besoj se në datë 4 maj do të ketë një hapje, e cila do të jetë në përputhje me udhëzimet që kemi rënë dakord me ministrin Spadafora, – ka theksuar kreu i organizmit që qeveris lëvizjen olimpike italiane. – Janë 387 disiplina sportive të mbyllura. Qeveria vendos, por ne po përgatisim gjithçka tashmë. Rifillimi i stërvitjes nuk duhet ngatërruar me rifillimin e veprimtarive. Për të qenë gati, një atlet duhet të stërvitet.”
“Ne po përgatisim një protokoll me të gjitha federatat dhe do ta dorëzojmë atë në qeveri,” – përfundoi presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Italian (CONI), Xhovani Malago.