AlbanianSport.com 21/04/2020 20:45
ASNN – Organizmi që qeveris futbolli evropian, UEFA, ka zhvilloi të martën takimin e Sekretarëve të Përgjithshëm, që në fakt ishte një prelud i takimit më të rëndësishëm të enjtes, ku pritet të merret vendime të rëndësishme për fatin e futbollit anembanë kontinentit të vjetër. Video-konferenca me pjesëmarrjen e Sekretarëve të Përgjithshëm të 55 federatave anëtare të UEFA-s u zhvillua pasdreke dhe në të mori pjesë edhe nr. 2 i Federatës Shqiptare të Futbollit, Ilir Shulku.
Në këtë mbledhje drejtuesit e federatave u njohën me situatën aktuale të futbollit evropian dhe diskutuan mbi disa alternativa të mundshme në lidhje me rifillimin e veprimtarive kombëtare dhe ndërkombëtare për meshkuj dhe femra, sipas detyrave që ishin ngarkuar për dy grupet e punës që janë krijuar në mesin e muajit mars. Mbledhja u përshëndet edhe nga Presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin, që falenderoi të gjithë federatat anëtare për masat e marra dhe kujdesin e treguar për anëtarët e tyre.
Në fillim të mbledhjes u prezantuan disa mundësi kalendarësh në lidhje me skuadrat kombëtare dhe ndeshjet e veprimtarive të klubeve. Sipas postimit në faqen zyrtare të organizmit që qeveris futbollin shqiptar, Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku, u njoh me rekomandimin e fortë të dhënë nga UEFA për përfundimin e veprimtarive vendase në gjithë Evropën. Vendimet në lidhje me çështjet e mësipërme do të njoftohen pas mbledhjes së Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, që do të zhvillohet të enjten.
Futbolli thuajse në gjithë Evropën është i pezulluar për shkak të epidemisë së koronavirusit, ndërsa “Euro 2020”-ta është shtyrë për vitin e ardhshëm. Janë shtyrë edhe ndeshje të ekipeve përfaqësuese, ndërsa pezull ka mbetur edhe futbolli evropian i klubeve. Organizmi që qeveris futbollin kontinental e ka bërë të qartë se dëshiron që të gjitha vendet anëtare të tij ta përmbyllin edicionin e futbollit vendas dhe jo ta anulojnë atë.
Po kështu, UEFA shpreson të përfundojë edhe Ligën e Kampioneve dhe Ligën e Evropës. Të gjitha 55 federatat nacionale kanë marrë pjesë në një video-konferencë që e ka mbajtur UEFA të martën, ndonëse nuk pritet ndonjë vendim deri të enjten kur takohet Komiteti Ekzekutiv i saj. Por, sipas asaj që raporton agjencia e lajmeve “Reuters” UEFA nuk ka dhënë shenja se do të heq dorë nga synimi për të përfunduar edicionin.
“Ka pasur një rekomandim të fortë që të përfundohen kampionatet elitare dhe kupat kombëtare, por, disa raste të veçanta do të dëgjohen, pasi të ketë udhëzime në lidhje me pjesëmarrjen në garat evropiane, nëse një ligë anulohet”, thuhet në një komunikatë të UEFA-s. Ka pasur raportime që UEFA po shikon për të luajtur finalet e Ligës së Kampioneve dhe të Ligës së Evropës në javën e fundit të gushtit, por të martën është thënë se disa variante të kalendarit janë prezantuar për ndeshjet e ekipeve kombëtare dhe të klubeve.