AlbanianSport.com 20/04/2020 20:55
ASNN – Largimi i tij menjëherë sapo kishte deklaruar se do ta linte Shqipërisë pak muaj më vonë ishte një nga çastet më të papritura në historinë e Kombëtares kuqezi të këtij 10-vjeçari dhe ka mbetur një mister edhe sot e kësaj dite. Trajneri italian, Xhovani De Biazi, ka deklaruar se është “përvojë e vështirë” të jesh trajner i Shqipërisë dhe ka zbuluar se “kishte mungesë motivimi” pas 5 vitesh e gjysmë.
De Biazi dërgoi Shqipërinë në Evropianin e 2016-ës në Francë, në turneun e parë të madh në fazën finale të të cilit Kombëtarja kuqezi mori pjesë dhe po luftonte me Spanjën dhe Italinë për një vend në “Botërorin 2018”-ës në Rusi. Por, ai u largua 4 ndeshje para mbarimit të ciklit eliminator dhe donte t’i jepte një trajneri të ri mundësinë që të jetë nga fillimi në Ligën e Kombeve të UEFA-s.
“Si trajner i një përfaqësueseje, unë po i shihja lojtarët vetëm një herë kohë pas kohe, – ka deklaruar 63-vjeçari, duke folur për gazetarin e “Sky Sport Italia”, Xhanluka Di Marcio. – Është përvojë e vështirë, duhet të punosh shumë me kokat e lojtarëve. Nuk është e lehtë të përgatitesh për dy ndeshje me disa muaj larg nga njëra-tjetra. Ndërkohë, vazhdon të vëzhgosh gjithë lojtarët.”
“Unë kam bërë më të mirën me Shqipërinë, kam marrë shumë çmime nga qeveria, është ndjenjë e shkëlqyer, – ka vijuar italiani që mban edhe pasaportën shqiptare. – Jam larguar nga Shqipëria pasi isha atje për 5 vjet e gjysmë. Ishim në vend të 3-të në renditje në grup në Eliminatoret e “Botërorit 2018” dhe 4 ndeshje para përfundimit. Por, kishim Spanjën e Italinë para nesh.”
“I thash presidentit se do të ndalem, për t’i dhënë pasardhësit tim mundësinë që të punojë në ndeshjet tjera para se të niste Liga e Kombeve, – ka theksuar ish-trajneri kuqezi. – Më mungonte motivimi.” De Biazi ka qenë pa skuadër, që kur u largua nga Alavesi në nëntor të vitit 2017, një aventurë që ai e cilësoi si një gabim të madh, teksa qëndroi në krye të stolit të skuadrës spanjolle vetëm 9 ndeshje përgjatë dy muajve.
Së fundmi, ai është përmendur si kandidat për të vazhduar karrierën e tij edhe në Azi. “Duhet së pari të shohim se si do të zhvillohet situata shëndetësore, – ka thënë De Biazi në intervistën e tij me “Sky Sport Italia. – Unë po shikoj për një projekt që më intrigon. Çdo gjë ndryshoi në momentin e fundit dhe koronavirusi definitivisht mbylli gjërat, por do të presim e do të shohim.”