AlbanianSport.com 19/04/2020 21:35
ASNN – Organi që qeveris futbollin evropian, UEFA, ka parashikuar një varg takimesh nëpërmjet video-konferencës për të martën, të mërkurën dhe të enjten e javës që po vjen, për të biseduar për mënyrën e përmbylljes së sezonit 2019-2020 në kushtet e krijuara nga epidemia globale e koronavirusit, që ka bërë që sporti më popullor në botë të ndalet edhe anembanë kontinentit të vjetër.
Dhe tanimë po kristalizohet edhe më tepër ideja se UEFA pritet të njoftojë gjatë javës se planifikon ta organizojë Ligën e Kampioneve nga 7 gushti, deri më 31 gusht 2020. Ideja është që një ndeshje të luhet çdo tri ditë, deri në finalen e madhe të 29 gushtit. Sipas “Sky Sport Italia”, ideja është që veprimtaritë kontinentale të klubeve të nisin të zhvillohen nga 7 gushti, menjëherë pasi të jenë përmbyllur kampionatet kombëtare.
Mundësia më e madhe është që ndeshjet e kthimit të mbetura nga turi i 16-she së Ligës e Kampioneve, ato Real Madrid-Mançester Siti, Juventus-Lion, Bajern Mynih-Çellsi dhe Barcelona-Napoli, të zhvillohen më 8 gusht 2020. Pas kësaj, ndeshjet çerekfinale dhe gjysmëfinale, me sistem vajtje-ardhje, të zhvillohen çdo 3 ditë dhe, në fund të muajit, finalja e madhe.
Kjo nënkupton që ndeshjet gjysmëfinale të luhen më 18-19 dhe 21-22 gusht, pastaj finalja më 29 gusht në Stamboll të Turqisë. Për rrjedhojë, faza e grupeve në sezonin e ardhshëm, atë 2020-2021, në Ligën e Kampioneve, nuk do të fillonte deri më 20 tetor të këtij viti.