AlbanianSport.com 03.12.2014 10:50
ASNN – Edhe dje, rreth orës 12:00, lojtarët e Himarës kanë vijuar seancën e tyre stërvitore me intensitet të plotë, ndërsa përgatitja është kryer në kompleksin sportiv pranë Pyllit të Sodës në Vlorës. Ndeshja e tyre të dielën ndaj Turbinës duket se ka marrë rëndësi të madhe, aq më tepër që dy rivalët e Himarës për t’u ngjitur në Kategorinë e Parë janë skuadra cërrikase dhe Gramshi.
Një ndeshje kjo shumë e fortë për të besuarit e trajnerit vlonjat Shpëtim Imerajt dhe për këtë takim, për gazetat sportive të ditës ka folur qendërmbrojtësi i Himarës, shtatlarti Bruno Dervishi. “Këtë javë na pret një ndeshje e vështirë, siç është ajo ndaj Turbinës. Mendoj se do të jetë një ndeshje që do t’i ketë të gjitha brenda. Kryesorja është që unë personalisht i druhem gjykimit”, – ka thënë ai.
“Shpresoj që mos të na e prish këtë ndeshje me vendime të padrejta, – ka vijuar futbollisti i himarjotëve. – Ta lënë të luhet futboll mbi të gjitha. Sa i përket kundërshtarit besoj se është një skuadër shumë e fortë duke marrë parasysh se jemi me pikë të barabarta. Ndaj dhe është vërtetë për t’u admiruar për elementët cilësorë që ka në skuadër.”
“Ne si Himarë e vlerësojmë dhe e respektojmë maksimalisht Turbinën, por në shtëpi i mposhtim”, – ka shtuar Dervishi, i cili, duke përfunduar, theksoi: “I ftojmë të gjithë tifozët himarjotë që të vijnë e të na mbështesin maksimalisht në këtë ndeshje kaq të rëndësishme dhe delikate për vazhdimësinë. Shpresoj të jenë sa më të shumtë në numër, pasi, në fund të fundit, ata janë lojtari ynë i 12-të dhe për atë luhet kjo ndeshje.”