AlbanianSport.com 19/04/2020 20:50
ASNN – Ndonëse është një nga lojtarët titullarë tek Shqipëria, teksa kur është në formë bëhet shumë e vështirë për ta mbajtur atë në krahë, Ermir Lenjani ka patur ulje-ngritjet e tij, duke qenë një personazh paksa i vështirë për t’u administruar dhe kjo është pasqyruar edhe në marrëdhëniet e tij me klubet.
Futbollisti aktivizohet me Sionin në Zvicër, aty ku fillimisht u përjashtua nga skuadra për shkak të problemeve financiare, por, më pas, midis palëve u gjet një marrëveshje. Së fundmi lojtari ka vendosur t’iu përgjigjet ndjekësve të tij në rrjetin social “Instagram”, duke dhënë edhe disa përgjigje interesante.
Kështu, një nga ndjekësit e ka pyetur Lenjanin për ekipin e preferuar në Kategorinë Superiore të Kampionatit Kombëtar të Futbollit, për të cilin ai u shpreh se është Tirana. Gjithashtu kishte dhe pyetje për Kombëtaren, në lidhje me trajnerin më të mirë, por edhe shokët e tij më të ngushtë në ekipin kuqezi.
“Trajneri më i mirë ka qenë Xhovani De Biazi”, – është përgjigjur futbollisti, i cili njihet për përplasjen e fortë që pati me trajnerin tjetër italian të Kombëtares, Kristian Panuçin, duke deklaruar asokohe, se, sa të ishte ai në stolin kuqezi, Lenjani nuk do të kthehej në ngjyrat kuqezi.
Në fakt, ashtu ndodhi, teksa me largimin e Panuçit, Lenjani u kthye në Kombëtare. “Juventus apo Inter?”, – ka qenë pyetja e një ndjekësi tjetër. “Juventusi dhe Ronaldo”, – ishte përgjigja e kuqeziut. Ndërsa në fund, “3 shokët më të ngushtë te Kombëtarja janë, Amir Abrashi, Taulanti dhe Berat Gjimshiti”, – është përgjigjur Lenjani.