AlbanianSport.com 17/04/2020 23:55
ASNN – Virologu Mark Van Ranst, profesor në Universitetin “De Leuvense”, është shndërruar në një personazh që lidh shkencën me botën e futbollit dhe ai ka tërhequr jo pak vëmendjen me deklaratat e tij. Van Rast është një këshilltar kyç i Federatës Belge të Futbollit, prandaj dhe ishte një nga aktorët që ndikuan në vendimin e organizmit që qeveris futbollin në vend, që është shumë pranë anulimit përfundimtar të sezonin aktual, ide për të cilën u kritikua nga UEFA.
Tanimë ai ka goditur sërish me deklaratat e tij, sepse, nuk e përjashton mundësinë që futbollistët të mund të kthehen në fushë, duke mbajtur maska, për t’u mbrojtur nga koronavirusi. “Është sigurisht një zgjidhje për tu marrë në konsideratë”, – ka thënë ai për të përditshmen “Le Soir”. “Nuk bëhet fjalë për ato kirurgjike, që janë të papërshtatshme, – ka shpjeguar më tej shkencëtari belg. – Në internet gjenden maska anti-ndotje që vendosen nga lojtarët e futbollit amerikan ose çiklistët”.
Në fakt, pamjet e lojtarëve të Gremios që hynë në fushën e lojës me maska mbrojtëse në shenjë proteste ndaj faktit që vazhdohej të luhej në Brazil, një muaj më parë, mund të kthehet në diçka të zakonshme në futbollin e epokës së pas-koronavirusit. Në fakt, në Belgjikë, ka një konflikt të hapur mes Federatës dhe Ligës së Futbollit (nga njëra anë) e UEFA-s, në anën tjetër. Krerët e futbollit belg po kërkojnë ta mbyllin kampionatin e këtij sezoni dhe më 24 prill do të jetë Asambleja që do të vendosë për fatin e sezonit aktual.
Por belgët kanë marrë kohë, pasi organizmi që qeveris futbollin kontinental, UEFA, ka kërcënuar të përjashtojë klubet belge nga veprimtaritë evropiane të klubeve. Ndërkohë, gjatë kësaj jave, klubet e “Jupiler Ligës” kanë rinisur stërvitjet. “Futbolli është një nga çështjet më të rëndësishme dhe ne po bisedojmë me 10 specialistët që përcaktojnë strategjinë për të dalë nga kjo situatë”, – pati deklaruar ditë më parë Van Ransti për median vendase “Het Nieuwsblad”.
“Por duhet të jemi të sinqertë: ndeshjet e futbollit dhe koncertet do te jenë ndër gjerat e fundit që do t’i lejojmë përsëri”, – pati shtuar ai, teksa ishte pyetur edhe në lidhje me mundësinë e luajtjes së ndeshjeve me dyer të mbyllura, për të cilat virologu ka lënë një gjysmë dere hapur, por me kusht. “Një finale me dyer të mbyllura do të ishte e mundur nëse kemi sigurinë absolute që tifozët nuk do të grumbullohen diku tjetër, – ka thënë belgu. – Nëse nuk ndodh, nuk luhet as ndeshja.”
“Askush nuk mund të fajësojë klubet belge për marrjen e vendimit, që ta mbyllin sezonin tani. Nga Pro Liga kam mësuar se duhen 3-4 javë që ekipet të stërviten për të qenë gati, kur ndeshjet të rifillojnë sërish. Kështu që është joreale të përfundosh veprimtaritë aktuale.” Madje Van Ranst pretendon se edhe UEFA po fillon ta shqyrtojë mundësinë e përfundimit të sezonit në këtë moment. “Kam përshtypjen se UEFA po fillon ta shohë që është e pamundur të luash futboll këtë sezon”, – ka thënë ai.