AlbanianSport.com 17/04/2020 21:40
ASNN – Sporti në përgjithësi dhe futbolli në veçanti, është padyshim një faktor i rëndësishëm social dhe, në errësirën e diktuar nga epidemia globale e koronavirusit, ai shikohet si një nga të çarat nga ku depërton drita e shpresës. Për këtë arsye, shumë, sidomos në një vend evropian të prekur më shumë nga kjo epidemi, po shtohen zërat për një rikthim sa më të shpejtë të sportit, por, natyrisht, me shumë kujdes. Për këtë arsyen, Presidenti i Federatës së Futbollit të Italisë, Gabriele Gravina ka thënë se ata që dëshirojnë që Seria A të përfundojë tani, nuk e duan futbollin apo italianët.
Gravina ka qenë i zëshëm në synimin e tij që të kampionati të vazhdojë dhe tanimë ai po përkrah idenë që kampionati italian të vazhdojë në fund të majit apo fillim të qershorit. “Ashtu si ministri Spadafora, shpresoj që të kthehemi në stërvitje më 4 maj, me të gjitha masat e kujdesit dhe garancitë”, – ka thënë kreu i organizmit që qeveris futbollin në Gadishullin e Apenineve, duke folur për “Rai Radio”. – Është një moment kompleks për vendin, për ekonominë dhe për vetë futbollin, që është në fakt një prej industrive kryesore.”
“Me një ndjenjë të përgjegjësisë dhe me kontribut të përbashkët, do të gjejmë mënyrën e duhur, – ka vijuar Gravina. – Për ata që propozojnë të anulohet kampionati, mund të them se nuk u pëlqen futbolli apo italianët. Ata duan të na marrin shpresën për të ardhmen dhe për vazhdimin e futbollit. Unë do të mbahem deri në fund.” I pari i futbollit italian ka theksuar se do të merren masa të rrepta dhe të kujdesshme lidhur me shëndetin e të përfshirëve. Por ai e pranon se do të duhen 3 javë për të vënë në zbatim masat e sigurisë.
“Kështu që ne mund të vazhdojmë në fund të majit apo fillim të qershorit. Do të jetë një periudhë e kontrolleve për të garantuar sigurinë e të gjithë të përfshirëve. Nëse rezultatet e të gjithë të testuarve dalin negative, nuk do të ketë telashe për të ndaluar përhapjen e virusit. Unë shpresoj që të gjithë të jenë në gjendje të luajnë në stadiumet e tyre. Nëse kjo nuk është e mundshme, atëherë do të shikojmë për alternativa”, – ka përfunduar Presidenti i Federatës së Futbollit të Italisë, Gabriele Gravina, duke folur për “Rai Radio”.