AlbanianSport.com 15/04/2020 18:35
ASNN – Promotori i Moto GP-së, kompania “Dorna Sports” e ka përjashtuar mundësinë e mbajtjes së fundjavave me dy gara, si pjesë e një programi të kondensuar, nëse garat do të fillojnë më vonë këtë vit. Epidemia globale e koronavirusit ka bërë të 8 garat e para të kalendarit fillestar të Botërorit të 2020-ës ose të anullohen ose shtyhen për shkak të kufizimeve të mbylljes në mbarë botën, dhe sezoni nuk pritet të fillojë, në rastin më të mirë, deri në qershor, në Çmimin e Madh të Gjermanisë.
Që nga anulimi i Çmimit të Madh të Katarit në fillim të marsit, si “Dorna Sports”, ashtu edhe dhe Federata Ndërkombëtare e Motoçiklizmit (FIM) kanë shqyrtuar disa ide për një kalendar të riorganizuar të 2020-ës, njëra prej të cilave ishte të zhvilloheshin dy gara në fundjavë. Sidoqoftë, kreu ekzekutiv i “Dorna Sports”, Karmelo Ezpeleta, tani e ka përjashtuar plotësisht këtë ide, duke i thënë medias “Teledeporte” të Spanjës: “Kjo mundësi nuk sjell asnjë dobi për ne”.
“Promovuesit tashmë janë mjaft të stresuar dhe nuk do të paguajnë për të patur dy gara dhe as transmetuesit televiziv”, – shtoi ai. Ka kohë që është menduar që mbajtja e fundjavave me dy gara ka të ngjarë të jetë e pamundur për shkak të kontratave aktuale me pistat ekzistuese. Drejtori i Përgjithshëm i “Dorna Sporti”, Manel Arrojo shtoi në një intervistë për Radion “Katalunja” se “në një nivel teknik” do të ishte e vështirë për Moto GP-në të zhvillonte fundjavat me dy gara.
“Ne nuk e mendojmë një gjë të tillë, është një nga ato lajmet që qarkullojnë, është spekulim, të bësh dy gara në të njëjtën fundjavë nuk do të ndodhë”, – tha ai. – Për më tepër, struktura aktuale e kampionatit, e skuadrave dhe vetë motorëve, janë krijuar për të bërë një lloj kampionati, me një garë 45-minutëshe të dielën. Ndryshimi i një gjëje të tillë nuk është i lehtë në një nivel teknik. Natyrisht nuk do të ishte e pamundur, por nuk na siguron asgjë.”
Që nga shtyrja e Çmimit të Madh të Spanës, që duhet të mbahej në maj, “Dorna Sports” dhe FIM kanë refuzuar të shpallur një kalendar të ri, me arsyetimin se situata aktuale e koronavirusit ende po evoluon me shpejtësi. Arrojo pranon se asgjë nuk është planifikuar akoma në lidhje me një kalendar të përkohshëm, dhe ata do të dinë vetëm sa gara do të ketë këtë sezon kur të jetë e sigurt se do të ketë një datë fillimi. “Kur ta dimë se kur do të mund të fillojmë, do të dimë sa fundjavë kemi në dispozicion deri në Krishtlindje për të bërë gara”, – shtoi ai.
“Natyrisht duke marrë parasysh nevojat logjistike, ne nuk mund të pretendojmë, logjikisht, të bëjmë një garë çdo fundjavë deri në fund të vitit dhe kjo është e qartë”, – tha zyrtari i lartë i promotorëve të Moto GP-së. – Por kur ta dimë ditën kur mund të fillojmë, do të dimë nëse do të ketë 10, 16 ose 8 gara. Por, nuk ka dobi po ta themi tani sesa gara do të zhvillohen.”
Kohët e fundit, Ezpeleta tha se do të ishte i kënaqur me një sezon me 10 gara, por Drejtori Sportiv i “Dukati”-t, Paolo Çiabati, ka deklaruar se ai beson se gjetja e 10 vendeve në gjendje të presin garat e Çmimeve të Mëdha do të jetë e vështirë. Ezpeleta konfirmoi gjithashtu që Moto GP-ja nuk ka nevojë të zhvillojë 13 garat minimale që parashikon zakonisht kontrata e saj me FIM, në mënyrë që të përligjë një kampionat zyrtar botëror këtë vit.