AlbanianSport.com 14/04/2020 23:05
ASNN – Në të gjithë historinë e versionit të tyre modern, 2020-ta ishte hera e parë që një edicion i Lojërave Olimpike shtyhej në kohë paqeje, teksa 3 edicione të shekullit të shkuar, gjatë gjysmës së parë të tij, nuk janë zhvilluar për shkak të Luftërave Botërore. Por, të martën, organizatorët e “Tokio 2020” thanë se nuk ka një “Plan B” për Lojërat Olimpike nëse ato duhet të shtyhen përsëri për shkak të epidemisë së koronavirusit, që ka përfshirë edhe Japoninë.
Zëdhënësi i Lojërave Olimpike të Tokios, Masa Takaja, tha se organizatorët po procedojnë nën supozimin se Olimpiada do të hapet në 23 korrik 2021. Ndërsa Paraolimpiadat vijon më 24 gusht 2021. Këto data u vendosën muajin e kaluar nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC) dhe zyrtarët japonezë, pasi epidemia e koronavirusit e bëri të qartë që Lojërat e Tokios nuk mund të mbaheshin siç ishte planifikuar këtë vit.
“Ne po punojmë drejt qëllimit të ri, – tha Takaja, duke folur në anglisht në një telekonferencë me gazetarët. – Ne nuk kemi një “plan B”.” Ashpërsia e epidemisë globale dhe numri i vdekjeve ka ngritur pyetjen nëse do të jetë e mundur edhe mbajtja e Lojërave Olimpike në pak më shumë se 15 muaj. “Gjithçka mund t’ju them sot është se datat e Lojërave të reja sapo janë vendosur, – vijoi zyrtari japonez. – Në këtë drejtim, “Tokio 2020” dhe të gjitha palët e interesuara tani po bëjnë përpjekjet e tyre maksimale për të ofruar Lojërat vitin e ardhshëm.”
Presidenti i IOC-së, Tomas Bah, u pyet për mundësinë e një shtyrjeje të re në një intervistë të botuar në numrin e së dielës së gazetës gjermane “Die Welt”. Ai nuk u përgjigj në pyetjen drejtpërdrejt, por tha më vonë se organizatorët japonezë dhe Kryeministri Shinzo Abe treguan se “nuk mund të menaxhonin një shtyrje më të mirë për verën e ardhshme”. Lojërat Olimpike tërheqin 11,000 atletë dhe kanë një shtab të madh mbështetës nga 206 Komitete Olimpike Kombëtare.
Pyetja tjetër kryesore është kostoja e vonesës, dhe kush paguan. Bahu tha në intervistën e së dielës se IOC-ja do të pësojë një humbje prej “disa qindra milionë dollarësh” prej shtyrjes. Sipas të ashtuquajturës marrëveshje të qytetit pritës, Japonia është përgjegjëse për pjesën dërrmuese të shpenzimeve. ‘Kjo është e pamundur të thuhet tani, – tha Takaja. – Nuk është shumë e thjeshtë të vlerësosh shumën e saktë të kostove shtesë të Lojërave, të cilat janë ndikuar nga shtyrja.”
Tokio thotë se po shpenzon 12.6 miliardë dollarë për të organizuar Olimpiadën e 32-të. Por një auditim i qeverisë japoneze, i publikuar vitin e kaluar, thotë se kostot janë dyfish më të mëdha. Nga shpenzimet totale, 5.6 miliardë dollarë janë para private. Pjesa tjetër është nga qeveria japoneze.