AlbanianSport.com 14/04/2020 22:20
ASNN – Një Premier Ligë që e mbyll sezonin brenda një 5-javëshi “blic” me ngarkesë të jashtëzakonshme, teksa të 20 skuadrat pritet të luajnë dy ndeshje brenda javës përgjatë një hapësire kohore prej vetëm 35 ditësh. Duket si një hipotezë e marrë nga një skenar filmash, por kjo është ajo po kristalizohet çdo ditë e më tepër si një mundësi reale për mbylljen e këtij sezoni të nivelit më të lartë të Kampionatit Anglez të Futbollit.
Kur futbolli të lejohet të rikthehet prapë, klubet e Premier Ligës Angleze shpresojnë të luajnë në stadiumet e tyre, kundrejt luajtjes në fusha neutrale, edhe nëse do të duhet që të gjitha ndeshjet të luhen me dyer të mbyllura për shkak të epidemisë së koronavirusit. Kanë mbetur 92 ndeshje për t’u luajtur në sezonin aktual, atë 2019-2020 të Premier Ligës, teksa 16 skuadra kanë për të luajtur edhe 9 ndeshje dhe 4 të tjerat edhe 10.
Çdo skuadër pritet të luajë rreth dy ndeshje në javë, përgjatë 35 ditëve, teksa po vijojnë bisedimet nëse të gjitha ato do të mund të transmetohen drejtpërdrejt. Pastaj, është edhe Kupa e Anglisë (FA Cup) për t’u luajtur. Për këtë arsye, Premier Liga Angeze po ndjek me interes sesi Bundesliga gjermane, veçanërisht, po planifikon të rikthehet në lojë, pasi të 18 klubet e saj janë rikthyer në stërvitje javën e shkuar.
Gjermanët janë rikthyer në stërvitje në grupe të vogla dhe po synojnë të rikthehen të luajnë brenda majit. Premier Liga Angleze bëri të ditur të premten se nuk kishte gjasa që futbolli profesionist të kthehej të luante në fillim të majit dhe po e mbante në shqyrtim të vazhdueshëm vendimin për një kthim të mundshëm, por të sigurt e të shëndetshëm, për shkak të epidemisë së koronavirusit.
Klubet e Premier Ligës Angleze u kanë thënë lojtarëve në një video-konferencë të shtunën se kostoja e mosqenies në gjendje të luhej fare pjesa e mbetur e sezonit, do të ishte më tepër se 1 miliardë stërlina angleze. Përllogaritet që, nga ai 1 miliardë, 762 milionë do të humbeshin nga të ardhurat televizive, teksa transmetuesit do të kërkonin mbrapsht paratë e dhëna ose do të mbanin pagesat që ende nuk ishin kryer.
Kjo nënkupton se Premier Liga Angleze ka të ngjarë të bëjë gjithçka të mundet që ta mbyllë sezonin sa më shpejt të jetë e sigurt që të bëhet një gjë e tillë. Për këtë arsye, e përditshme britanike “Daily Telegraph”, raporton se synimi është mbyllja e sezonit brenda 5 javësh, me shpresën se do të përdorin stadiumet e veta. Kjo vjen pas qëndresës që klubet i bënë idesë së luajtjes në fushë asnjanëse.
“Këto janë dy skenaret që duken si më të qenësishme tani për tani, për ta mbyllur sezonin duke luajtur me dyer të mbyllura, pa tifozë e madje me një numër minimal të personelit brenda stadiumit, përfshi një trupë të reduktuar transmetimi televiziv, ose ngjeshja e kalendarit”, – raporton e përditshmja britanike në fjalë. Tanimë mbetet për t’u parë se çfarë do të sjellin ditët në vijim në këtë drejtim.