AlbanianSport.com 12/04/2020 21:50
ASNN – Kampionati turk ishte dikur një adresë e preferuar e futbollistëve shqiptarë, natyrisht, edhe si një trampolinë për të kaluar më pas në një kampionat më të madh të vendeve të tjera evropiane. Dhe duke se kjo po rikthehet, ndonëse në nivele dhe përmasa më modeste. Tanimë skuadra turke e Menemensporit duket se është dashuruar me futbollistët shqiptarë, teksa pasi ka afruar dy në ekip, si Gentjan Selmani dhe David Domgjoni, tashmë interesohet edhe për dy lojtarë të tjerë shqiptarë.
Pak ditë më parë u zbulua se skuadra turke ka në listën e dëshirave për të transferuar në verë talentin e Tiranës, Ernest Muçi, i cili po tregon një formë shumë të mirë me bardheblutë këtë sezon. Megjithatë nuk është vetëm sulmuesi i Tiranës në listën e dëshirave të drejtuesve të Menemensporit. Sipas asaj që shkruajnë mediat turke, drejtuesit e këtij klubi pëlqejnë edhe futbollistin e Teutës, Sherif Kallaku.
Ky i fundit është një nga lojtarët më të mirë në Kategorinë Superiore dhe paraqitjet e tij të shkëlqyera nuk kanë kaluar pa u vënë re, teksa tashmë skuadra turke ku luajnë dy futbollistë të tjerë shqiptarë, po përgatit sulmin për të marrë yllin e durrsakëve. Në fakt, verën e shkuar ata zbarkuan në stadium për të parë David Domgjonin, por nuk ia dolën ta merrnin mbrojtësin. Në takimin Laçi-Hapoel Beer Sheva spikati portieri Gentian Selmani dhe turqit, duke shfrytëzuar faktin që dilte lojtar i lirë, e transferuan atë.
Në janar iu rikthyen pistës Domgjoni dhe mbrojtësi i majtë kaloi nga kurbinasit te Menemenspor për shumën e 50 mijë Eurove. Ditët e fundit u raportua në mediat turke se Ernet Muçi i Tiranës është një tjetër lojtar për të cilin ata interesohen. Tashmë është shtuar në listë edhe Sherif Kallaku, i cili rinovoi kontratën me Teutën, që normalisht do kërkojë të përfitojë nga transferimi i fantazistit.
Mbetet të shihet nëse Menemenspor është në gjendje të plotësojë kërkesat e durrsakëve, që zor se e lëshojnë mesfushorin pa 300 mijë euro. Kallaku është një nga lojtarët më të spikatur në Superiore dhe këtë sezon ia ka dalë edhe të shënojë, plot 8 herë në kampionat, duke mbajtur kështu mbi supe peshën e realizimit në skuadrën bregdetare, që duhet theksuar se ka një ngërç në këtë repart të lojës.