AlbanianSport.com 11/04/2020 16:50
ASNN – E përditshmja zvicerane, “Blick” i kushtuar një shkrim trajnerit të Kosovës, Bernard Shalondë, duke spekuluar edhe rreth të ardhmes së tij me përfaqësuesen e Kosovës. Kontrata e tij i skadon në qershor të këtij viti, ndërsa duket se ende nuk kanë nisur bisedimet ndërmjet tij dhe Federatet së Futbollit të Kosovës (FFK) për zgjatjen e kontratës.
“Shalondi ka pasur një përvojë të suksesshme me Kosovën, duke fituar 11 ndeshje, ndërsa ka pasur edhe 5 barazime dhe ka pësuar vetëm 4 humbje në 20 ndeshje, – shkruan gazeta zvicerane. – Megjithatë kontrata e tij i skadon në qershor.” E pas shtyrjes së ndeshjeve eliminatore për në Evropian, për shkak të koronavirusit, kjo e ka ndërlikuar situatën për Kosovën, që është vetëm dy ndeshje larg kësaj arritjeje historike.
Sipas “Blick”-ut deri më tani ka pasur pak sinjale se atij do t’i zgjatet kontrata. “Kontrata i ripërtërihet automatikisht nëse Kosova arrin të kualifikohet për Evropian”, – përfundon e përditshmja zvicerane, e cila shkruan se nuk janë duke u zhvilluar bisedime momentalisht rreth të ardhmes së tij. “Duhet të kuptojmë se, hëpërhë, futbolli nuk është më e rëndësishmi në botë”, – ka thënë vetë Shalondi.