AlbanianSport.com 10/04/2020 19:50
ASNN – Në shkurt, Bordi Ndërkombëtar i Shoqatave të Futbollit (IFAB), që është organizmi qeverisës i lojës së futbollit, i aprovoi rregullat e reja të lojës, që do të vihen në zbatim që nga 1 korriku 2020. Këto rregulla janë zyrtarizuar që nga e mërkura dhe tanimë janë sqaruar shumë prej tyre. Ajo që i ka rënë më tepër në sy tifozëve të futbollit është se asgjë nuk është ndryshuar sa i përket rregullave për pozicionin jashtëloje, që janë kritikuar shumë kohët e fundit, ndërsa IFAB-i ka thënë se “dëshiron t’i modifikojë këto rregulla për ta inkurajuar futbollin sulmues dhe shënimin e golave”.
IFAB-i po synon edhe t’i ndalojë grumbullimet e shumta të futbollistëve rreth gjyqtarëve, por, në Asamblenë e 134-të të tij, të mbajtur në Belfast, tema kryesore ishte sa u përket prekjeve me dorë. IFAB-i dëshironte ta bënte të qartë që prekje me dorë konsiderohet çdo prekje përtej nënsqetullave. “Nëse një lojtar e prek topin me dorë aksidentalisht, do të konsiderohet e parregullt vetëm nëse ai aksion përfundon me gol ose, në rastin më të mirë për të shënuar gol, – thuhet në raportin e këtij organizmi.
“Nëse aksioni zgjatet dhe bëhen disa prekje me dorë para se të shënohet goli, prekja aksidentale me dorë nuk do të konsiderohet e rregullt”, – vijon më tej raporti. Kur një incident nuk është i qartë, atëherë gjyqtari kryesor duhet të shkojë te monitori përreth fushës dhe ta shikojë vetë rastin, ndërsa gjyqtarët në dhomën e VAR-it mund vetëm ta këshillojnë.
Ndërkaq, sa u përket 11-metërshve, nëse portieri i thyen rregullat kur po ekzekutohet një i tillë dhe topi nuk hyn në portë ose e godet shtyllën, portieri nuk do të penalizohet, përveçse nëse veprimet e tij e penalizojnë qartësisht lojtarin që po e gjuan atë goditje. Duke qenë se portierët dalin nga vija para kohe shumicën e rasteve si rezultat që nuk mund ta parashikojnë saktësisht se kur do të goditet topi, ata fillimisht do të marrin vërejtje dhe vetëm nëse e përsërisin gabimin, do të ndëshkohen.
Nëse edhe portierim edhe lojtari që e gjuan goditjen nga pika e bardhë bëjnë gabime në të njëjtën kohë, atëherë lojtari që e gjuan 11-metërshin ndëshkohet, pasi që në shumicën e rasteve është ai që e provokon gabimin e portierit. Paralajmërimet e bëra gjatë ndeshjeve nuk do të merren parasysh gjatë 11-metërshve. Nëse gjyqtari e lejon vazhdimin e lojës kur bëhet një ndërhyrje e parregullt pasi që ekipi që pësoi ndërhyrje ka mundësi të shënojë gol, atëherë kartoni i kuq bëhet karton i verdhë e nëse ndërhyrja ishte për karton të verdhë, lojtari nuk ndëshkohet fare.