AlbanianSport.com 10/04/2020 17:05
ASNN – Përtej epidemisë së koronavirusit dhe faktin që ajo ka bërë që futbolli të ndalet, kjo nuk do të thotë se loja më popullore në botë po qëndron duarkryq. Sepse, kur ajo nuk luhet në fushën e blertë, ajo luhet jashtë saj dhe gjithmonë ka kohë për të luajtur në merkato. Kështu po ndodh me kampionen e Italisë, Juventusin, që raportohet se është duke i mbikëqyrur të gjitha lëvizjet e klubeve të tjera lidhur me një nga futbollistët më të spikatur të momentit në futbollin e kontinentit.
Bëhet fjalë Erling Braut Ha’alandin e Borusias së Dortmundit, dhe bardhezinjtë janë të gatshëm të tentojnë për herë të tretë ta bëjnë të tyrin norvegjezin. Është media sportive italiane “Calciomercato”, ajo shkruan se drejtori sportiv i Juventusit, Fabio Paratici, kishte privuar fillimisht ta sjellë Ha’alandin në klubin torinez në vitin 2018, atëherë kur norvegjezi kishte qenë ende pjesë e Moldes. Në atë kohë, adoleshenti norvegjez kishte zgjedhur të transferohej te klubi austriak i Red Bull Salzburgut.
Aty ai u bë menjëherë protagonist dhe i rregullt në formacionin e parë, përkundër moshës së tij të re. Gjatë merkatos së të janarit, bardhezinjtë ishin sërish të përfolur për transferimin e yllit të talentuar, i cili megjithatë preferoi të shkojë në Gjermani, në Dortmund, tek Borusia, për ta zhvilluar edhe më tutje talentin e vet. Dhe ai nuk ka vonuar ta shpalosë talentin dhe potencialin e tij, duke ka shënuar 9 gola në 8 ndeshje të Bundesligës.
Natyrshëm, pas paraqitjeve mbresëlënëse në Ligën e Kampionëve, me 8 gola të shënuara në fazën e grupeve, si dhe në bundesligën austriake në pjesën e parë të sezonit, 19-vjeçari ishte duke u kërkuar nga shumë prej klubeve më të mëdha të Evropës. Kësisoj, raporton “Calciomercato”, Juventusi është ende i interesuar për të mësuar më shumë për situatën e të riut në klubin të njohur gjerman me bazë në “Vestfalenshtadion”.
Drejtuesit e Juventusit po mbështeten tek agjenti i Ha’alandit, Mino Raiola, për të marrë informata për të gjitha ofertat për Ha’alandin. Me pak fjalë, Juventusi është i gatshëm të luftojë për t’i siguruar shërbimet e norvegjezit të shumëkërkuar, mirëpo mund t’i duhet të presë një vit ose dy për ta arritur këtë qëllim. Dhe këtu nuk po llogarisim që bëhet fjalë për një futbollist me një potencial të jashtëzakonshëm që padyshim do të jetë në shënjestër të disa prej gjigandëve të futbollit kontinental.