AlbanianSport.com 08/04/2020 21:40
ASNN – “Rrethana të jashtëzakonshme bëjnë thirrje për masa të jashtëzakonshme”. E duket se ky parim po gjen dalëngadalë edhe në rastin e futbollit shqiptar. Duke qenë se qeveria shqiptare nuk e përfshiu sportin në paketën e kompensimit të dëmeve të shkaktuara prej epidemisë globale të koronavirusit, tashmë duket se është Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) kërkon t’i dalë për zot situatës me synimin për të mbajtur gjallë skuadrat, duke iu dhënë një dorë pas rikthimit të normalitetit.
Sipas mediave sportive shqiptare, organizmi që qeveris futbollin në vend u ka dërguar të gjitha klubeve pak ditë më parë një e-mail, që në thelb të tij kishte kërkesën për t’i dërguar FSHF-së listë-pagesat e lojtarëve, stafit teknik dhe zyrtarëve të tjerë të administratës së klubit. Me pak fjalë, FSHF kërkon që të vihet në zbatim ajo që ka premtuar vetë presidenti Armand Duka, pra duke ndihmuar klubet financiarisht në këtë situatë të paprecedentë.
“FSHF-ja ka një buxhet vjetor më të vogël se fondi i pagave për këtë situatë, por me ato mundësi financiare që ka, edhe borxhe do të marrë dhe nuk do t’i lërë anëtarët e vet në rrugë”, – pati deklaruar vetë Duka pak ditë më parë për mediat sportive në vend. Mësohet se një grup pune në Federatë ka nisur menjëherë të bëjë llogaritë për fondin që duhet për të mbuluar, në rastin më të mirë, dy muaj rroga, ose minimalisht një pagë për punonjësit e klubeve.
Një gjë të tillë e kanë konfirmuar posaçërisht për AlbanianSport.com disa burime pranë organizmit që qeveris futbollin në vend, të cilët kanë preferuar të ruajnë anonimitetin. “Për momentin nuk mund të japim hollësi të mëtejshme, por është e sigurt se po punohet mbi një plan të tillë, – kanë pohuar burimet në fjalë, të kontaktuar në mënyrë të pavarur nga njëri-tjetri. – Nuk mund të jepet një shifër e përgjithshme mbi koston e këtij plani, por është e vërtetë që grupi i punës i ngritur për këtë qëllim po punon me intensitet.”
Hapi i parë ka qenë kërkesa ndaj klubeve për t’u njohur më konkretisht me borderotë e tyre. Nuk janë vetëm lojtarët dhe stafet teknike pjesë e “paketës” së FSHF-së, por edhe punonjësit e tjerë të klubeve, trajnerët e ekipeve zinxhir në akademi etj. Burime pranë FSHF-së kanë pohuar se kostoja shkon në mbi një milion euro dhe këtu bëhet fjalë për pagën bazë, pra atë që klubet deklarojnë në Tatime dhe merret përmes bankës. Nga një përllogaritje e thjeshtë, mësohet se çdo lojtar i klubeve të Superiores do të marrë në rastin më të mirë, 40,000 lekë të reja për një muaj.
Kjo situatë tregon edhe një herë problemin e deklarimeve dhe pagesat në të zezë që bëjnë klubet. Më 30 mars 2020, Federata Shqiptare e Futbollit kërkoi që të gjithë punonjësit e përfshirë në sektorin e futbollit në vend, të përfshihen patjetër në paketën e kompensimit nga qeveria, si një e drejtë themelore për të garantuar mbijetesën e familjeve të tyre në këtë kohë të vështirë. Por, dy ditë më pas, Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur negativisht kësaj kërkese.
Ai ka sjellë si shembull faktin që, sipas tij, klubet e futbollit deklarojnë paga të rreme. Madje kryeministri bëri thirrje që edhe klubet e futbollit të reflektojnë në përputhje me realitetin dhe rrethanat. Të dielën, pasdreke, në një program televiziv, zv/kryeministri Erjon Braçe ka shkuar më tej në akuzat e tij për drejtuesit e futbollit shqiptar, çka ka çuar në mbrëmje në një reagim të ashpër të presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka.
Duke përdorur edhe fyerje personale në drejtim të nr. 2 të qeverisë, kreu i organizmit që qeveris futbollin në vend solli rastin e Kosovës, Maqedonisë, ku shteti ka ndihmuar financiarisht komunitetin e futbollit, por edhe Gjermanisë, ku federata ka kërkuar ndihmën e shtetit. Ky status i Presidentit të FSHF-së ka çuar në reagimin të hënë pasdreke të Erjon Braçes, i cili, nëpërmjet një statusi të gjatë në profilin e tij në rrjetin social “Facebook” i ka kthyer përgjigje Dukës.
Duke bërë, ndër të tjera, një përmbledhje të gjendjes së futbollit anembanë Evropës, ku drejtues të klubeve të njohura apo federatave kanë shkuar në burg për keqpërdorim posti apo evazion fiskal, por edhe refuzimin e vazhdueshëm të FSHF-së për auditim të saj nga ana e shtetit, zv/kryeministri thekson se “Presidenti i FSHF-së shfrytëzon mrekullisht qoftë kurajon e munguar për të bere ligj e rend fiskal në këtë vend, qoftë komunikimin e munguar mes organeve fiskale dhe UEFA-s e FIFA-s qe transparencën e kanë thelb pas arrestimeve ne to”.
Braçe i ka bërë thirrje Dukës t’i dalë për zot futbollit të tij, që është vendosur, sipas nr. 2 të qeverisë, në karantinë financiare 3-vjeçare edhe nga UEFA. Madje ai ka theksuar se do të flasë me fakte, prova, dokumente në UEFA e FIFA dhe, as tyre edhe ne çdo organ ligjzbatues. Tanimë duket se Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) po kërkon të bëjë pikërisht këtë, t’i dalë për zot situatës me synimin për të mbajtur gjallë skuadrat, duke iu dhënë një dorë pas rikthimit të normalitetit.