AlbanianSport.com 08/04/2020 20:45
ASNN – Organizatorët e Kampionatit Botëror të Atletikës për vitin 2022 kanë pranuar ta organizojnë ngjarjen e madhe 3 javë më herët se që kanë planifikuar, për të krijuar hapësirë për Lojërat e Komonuellthit Britanik në Birmingam, raportin rrjeti i mirënjohur britanik, BBC.
Në fakt, vetëm ky Kampionat Botëror, që do të mbahet në Oregon të SHBA-së, ishte shtyrë për një vit, pas shtyrjes më herët të Lojërave Olimpike “Tokio 2020” për verën e vitit të ardhshëm, për shkak të epidemisë së koronavirusit. Por, pas një javë negociata, është arritur një marrëveshje që Botërori i Atletikës të mbahet nga data 15, deri më 24 korrik të vitit 2022.
Ndërkohë datat për Lojërat e Komonuellthit Britanik të vitit 2022 në Birmingham do të mbeten të njëjtat, nga 27 korriku, deri 7 gusht 2022. Federata Ndërkombëtare e Atletikës ka deklaruar pas këtij vendimi se ky ndryshim do të evitojë një përplasje të kalendarit me ngjarjet tjera të mëdha.
Presidenti i Federatës, Lordi Sebastian Koe, ka thënë se organizatorët e Lojërave të Komonuellthit planifikonin të organizonin garat e atletikës nga fundi i korrikut dhe, për këtë arsye, u detyruan të bëjnë lëvizje të datave. Po kështu, pas këtyre dy ngjarjeve do të organizohet edhe Kampionati Evropian më 11 gusht në Gjermani.
“Do të jetë një mundësi e madhe për të promovuar sportin tonë dhe yjet tanë nëpër botë gjatë një periudhe të shkurtër – ka thënë Koe. – Parimi ynë prapa këtij ndryshimi të datave ishte që të siguronim mjaftueshëm hapësirë që atletët të mund të garonin edhe në ngjarjet tjera të mëdha.”
“Ne nuk kemi dashur të dëmtojmë kampionatet tjera të mëdha në vitin 2022”, – ka përfunduar Presidenti i Federatës Ndërkombëtare të Atletikës, Lordi Sebastian Koe.