AlbanianSport.com 07/04/2020 22:35
ASNN – Garat kualifikuese për Lojërat Olimpike të Tokios janë pezulluar deri më 1 dhjetor 2020, ka njoftuar Federata Ndërkombëtare e Atletikës (World Athletics) të martën. Atletët që tashmë kanë fituar normën do të mbesin të kualifikuar dhe në dispozicion për t’u përzgjedhur nga Komitetet Olimpike Kombëtare. Periudha e kualifikimit sa i përket atletikës ka nisur në vitin 2019, por është ndërprerë për shkak të epidemisë globae të koronavirusit.
Në fakt janë ndërprerë të gjitha ngjarjet e atletikës dhe thuajse i gjithë sporti. Presidenti i Federatës Ndërkombëtare të Atletikës, Lordi Sebastian Koe, ka deklaruar se është mirënjohës për punën e bërë nga organizatorët dhe se pezullimi i veprimtarive është mënyra më e mirë që atletët të kenë mundësi të barabarta. Të gjitha rezultatet që do të arrihen në garat që do të mbahen deri më 1 dhjetor 2020, nuk do të sigurojnë normë olimpike.
Kjo sepse periudha kualifikuese do të jetë prej 1 dhjetorit e deri në maj apo qershor të vitit të ardhshëm. Federata Ndërkombëtare e Atletikës po ashtu ka njoftuar se ka dërguar në pushim të përkohshëm gjysmën e stafit të selisë së saj, që do të vazhdojnë të paguhen 100 %. Lojërat Olimpike të Tokios janë shtyrë për vitin e ardhshëm. Ngjarja kryesore sportive është dashur të mbahet në korrik dhe gusht të këtij viti, por, pas një hezitimi të gjatë, ra viktimë e koronavirusit.