AlbanianSport.com 07/04/2020 21:40
ASNN – Edhe dy gara të këtij sezoni të Moto GP-së janë shtyrë për shkak të epidemisë së koronavirusit, që ka shpërthyer në shkallë globale. Një gjë e tillë është bërë i ditur në faqen zyrtare të Moto GP-së së Internet, por edhe në profilet e saj në rrjetet zyrtare. Gara e Çmimit të Madh të Italisë, e parashikuar të mbahej në Muxhello, nga data 29, deri më 31 maj 2020 dhe ajo e Çmimit të Madh të Katalonjës, e parashikuar të mbahej në Barcelonë, nga data 5, deri më 7 qershor 2020, janë shtyrë.
Me këto të dyja janë tanimë 7 gara që janë shtyrë në kalendarin fillestar të sezonit të rregullt të Moto GP-së, ndërsa gara e parë e këtij kalendari, ajo e Katarit, e parashikuar të mbahej më 8 mars 2020, u anulua. “Duke qenë se situata mbetet në zhvillim të vazhdueshëm, datat e reja për këto gara, si dhe për garat e shtyra më herët, nuk mund të konfirmohen përderisa të bëhet e qarta kur do të jetë e mundur të organizohen”, – shkruan njoftimi.
“Një kalendar i ri do të publikohet në momentin kur të përgatitet”, vijon ky njoftim i shkurtër zyrtar i Moto GP-së. Kjështu pra, sezoni i Moto GP është shtyrë deri në mes të qershorit, në versionin më të hershëm, pas shtyrjes së dy garave më të fundit. Epidemia e koronavirusit, e cila ka infektuar afro 1.5 milionë njerëz në mbarë botën, e ka shpartalluar plotësisht kalendarin e Moto GP-së.
Teksa gara hapëse e sezonit të nivelit më të lartë të Kampionatit Botëror të Motoçiklizmit në Katar u anulua për shkak të rritjes së kufizimeve të udhëtimit drejt vendit arab, edhe garat që pasuan, në Tajlandë, në Teksas të Shtetetve të Bashkuara të Amerikës, në Argjentinë, në Herez të Spanjës dhe në Francë, vijuan të shtyhen. Me Italinë një nga vendet më të goditura në botë, gara e 31 majit në Muxhelo nuk pritej të zhvillohej.
Ndërsa shtyrja e garës së Formulës 1 të Barcelona, bëri që edhe gara e Moto GP-së në Katalonjë të duket gjithnjë e më e parealizueshme. Këto shtyrje të njëpasnjëshme kanë bër që organet drejtuese të Moto GP-së të mos hartojnë ende një kalendar i ri, Federata Ndërkombëtare e Motoçiklizmit dhe kompania pronare “Dorna Sports”, presin të shohin se si do të zhvillohet më tej situata aktuale e epidemisë së korovirusit.
Javën e kaluar, Drejtori i Përgjithshëm i “Dorna”-s, Karmelo Ezpeleta tha se ai do të jetë “i kënaqur” me një sezon me 10 gara më vonë këtë vit, por pohoi se “edhe një anulim i plotë i vitit duhej të merrej në shqyrtim”. Sidoqoftë, shefi i “Dukati”-t, Paolo Çiabati ka theksuar se gjetja e 10 vendeve në gjendje të zhvillojnë garat do të ishte e vështirë dhe, në vend të kësaj, sugjeroi gjetjen e të paktën 5 vendeve dhe mbajtjen e dy garave në secilën pistë.