AlbanianSport.com 07/04/2020 18:55
ASNN – Një batutë e këndshme në anglisht thotë “You pay, you play”, pra, “Kur paguan, luan”. Pra, kur nuk luan, nuk pahuhesh dhe pikërisht kjo po ndodh me klubet e Premier Ligës Angleze, që mund të humbasin mbi një miliardë Euro për shkak të epidemisë së koronavirusit.
Sipas asaj që raportojnë mediat britanike, lojtarëve të nivelit më të lartë të Kampionatit Anglez të Futbollit u është thënë në fundjavë se klubet e tyre rrezikojnë të humbasin plot 1.29 miliardë Euro (1.137 miliardë strërlina angleze) për shkak të pezullimit të sezonit pas përhapjes së koronavirusit.
Klubet e elitës angleze do të kenë të ardhura dukshëm më të vogla nga transmetimi televiziv dhe nga sponsorizimet, ka shkruar e përditshmja angleze “The Telegraph”. Lojtarëve u është prezantuar kjo shifër në përpjekje për t’i bindur ata që të heqin dorë nga 30 % e pagës, për të ndihmuar klubet që të funksionojnë.
Një prezantim për lojtarët është bërë përmes një videkonference, ndërsa Premier Liga ka shpalosur me hollësi humbjet e mundshme. Lojtarëve u është thënë, ndër të tjera, se 200 milionë stërlina (227 milionë Euro) do të humben vetëm nga të ardhurat në ditët e ndeshjeve.
Ndërsa 175 milionë stërlina (198 milionë Euro) do të humben nga marrëveshjet e sponsorizimit, që duhet të rikthehen. Klubet të ndryshme të Premier Ligës, duke përfshirë Livepulin, tashmë kanë lënë pushim të përkohshëm një pjesë të punëtorëve. 80 % të të ardhurave të tyre tani do të mbulohen nga qeveria.