AlbanianSport.com 30/03/2020 22:35
ASNN – Valentino Rosi duhet të vendosë nëse në 2021-shin do të vazhdojë të jetë në skuadrën “Jamaha”, me një motor zyrtar, ose nëse do të tërhiqet nga Moto GP. 41-vjeçari, duhet ta njoftojë skuadrën me bazë në Iuata të Japonisë, por situata aktuale që bota po përjeton për shkak të epidemisë së koronavirusit, po i prish të gjitha planet. Sidoqoftë, Masimo Meregali, drejtori i ekipit të “Jamaha”-s, nuk beson që sapo të fillojë gjithçka, Valentino do të kërkojë shumë kohë për të vendosur.
“Për një pilot të kalibrit të tij, 2-3 gara do të mjaftojnë që ai të marrë një vendim, – ka dhënë drejtuesi i skuadrës japoneze. – Valentino është një djalë i zgjuar dhe e tregon lehtësisht nivelin e tij. Edhe ai, edhe ne do të hedhim një hap së bashku. Jam i bindur që “Jamaha” do të punojë për ta vendosur Valen në situatën më të mirë.” Meregali gjithashtu theksoi rëndësinë e kthimit të Horge Lorencos si një pilot mbështetës për skuadrën aziatike.
“Unë mendoj se problemi i “Jamaha”-s nuk ishte të paturit e një piloti testi të kalibrit të Lorenzos, i cili është një pilot shumë i shpejtë, – tha shefi i “Jamaha”-s. – Ai ka dhunti të jashtëzakonshme dhe i njeh pikat e forta dhe të dobëta të një motori.” Më në fund, zyrtari i skuadrës japoneze iu referua fatit të Botërorit të këtij sezoni dhe asaj që ai beson se mund të ndodhë. “Nuk është një situatë e lehtë, padyshim përparësia është shëndeti edhe për të gjithë ata që janë të sëmurë dhe po luftojnë për jetën e tyre”, – tha ai.
“Ne jemi në shtëpi, por jemi në kontakte me anëtarët e ekipit dhe pilotët, – vijoi Meregali. – Maverik Vinjaliesi më tha që është shëruar praktikisht nga dëmtimi. Eshtë e pamundur të vendosësh një datë tani, “Dorna” po bën gjithçka që është e mundur për të mbrojtur Botërorin ndërsa kërkon një zgjidhje për të bërë garat. Personalisht, unë mendoj se deri në korrik është praktikisht e pamundur të fillohet dhe unë jam i mendimit që të bësh 12 ose 13 gara mund të jetë një numër i arsyeshëm, ndërsa 19 i konsideroj të pamundur.”