AlbanianSport.com 27/03/2020 21:40
ASNN – Krenar dhe Rexhildo Zeneli, peng të ndërprerjes së turneut olimpik prej koronavirusit. Epidemia e koronavirusit që ka shpërthyer në shkallë globale, ka çuar edhe në pezullimin e Evropianit të Boksit. Në të kanë marrë edhe dy boksierë shqiptarë, Krenar dhe Rexhildo Zeneli. Dy boksierët janë aktualisht në Londër dhe gëzojnë shëndet të mirë, por mbetet problem kthimi i tyre në Shqipëri.
Gjashtë anëtarë të ekipeve të boksit që morën pjesë në turneun kualifikues olimpik në Londër janë të infektuar me koronavirus, ka shkruar të enjten rrjeti prestigjioz britanik, BBC. Turneu është mbajtur më herët këtë muaj në Londër, ndërsa në të mori pjesë edhe ekipi i Kosovës i përbërë nga 6 anëtarë, por edhe Shqipëria, me dy boksierë, të ndihmuar nga trajnerët e Kosovës.
Organizatorët vendosën të mbajnë turneun në kohën kur shumica e ngjarjeve sportive po anuloheshin. Megjithatë, turneu u ndërpre në mes pas rasteve të shumta me koronavirus në Britani të Madhe. Fillimisht Federata e Boksit të Turqisë ka njoftuar se dy boksierë dhe një trajner nga Turqia kanë dalë pozitiv në testet për koronavirus, pas kthimit nga turneu.
Ndërkohë, edhe Federata kroate i ka thënë BBC-së se dy trajner dhe një boksier nga Kroacia po ashtu janë prekur nga koronavirusi. Shtatë anëtarët e Federatës së Boksit të Kosovës ka mbi dhjetë ditë që janë në karantinë në konviktet në Prishtinë. Në këtë kampionat Evropian nga Shqipëria kanë qenë Krenar Zeneli (pesha 52-57 kilogram) dhe Rexhildo Zeneli (pesha 57-63 kilogram), të cilët, në fakt, kanë shkuar me shpenzimet e tyre.
Sidoqoftë, paraqitja e Krenar Zenelit dhe Rexhildo Zenelit ka qenë mbresëlënëse. Në ndeshjen e parë Krenar Zeneli ka mundur moldavin Dorin Bucsa 2-1, ndërkohë që në mënyrë të padrejtë, në një ndeshje të dominuar prej tij, është eliminuar nga gjyqtarët në përballjen me spanjollin Hoze Kueroz. Kurse Rexhildo Zeneli ka fituar me belgun Abdelkarim 3-0.
Tanimë ai pret turnetë e tjerë kualifikues për të arritur pikët për kualifikimin olimpik. Por shqetësimi kryesor i Federatës Shqiptare të Boksit është kthimi i Krenar dhe Rexhildo Zenelit në Shqipëri, aq më tepër që nga e marta e 16 marsit, ora 23:59, janë pezulluar fluturimet vajtje-ardhje me Britaninë e Madhe për shkak të koronavirusit. Dy boksierët janë aktualisht në Londër dhe gëzojnë shëndet të mirë.