AlbanianSport.com 25/03/2020 20:45
ASNN – Boterori i Formulës 1 për 2020-ën, mund të nisë në verë, megjithatë asgjë nuk është e sigurt. Nëse Azia do të dalë e para nga izolimi i Covid-19, Botërori do të nisë atje, për të vazhduar më pas në vendet ku do të ketë konfirmim se epidemia ka kaluar. Pas shumë pezullimeve dhe shtyrjeve të garave të Formula 1, lind pyetja: A e di njeri se si do të vazhdojë kalendari? Asnjë nga pjesëtarët e skuadrave të Formula 1 nuk di të përgjigjet.
Sot, të kërkosh informacion për kalendarin, është një akt shprese, një datë që do të ndihmonte të shikonim fundin e emergjencës që po përjeton gjithë planeti. Për momentin nuk ka një kalendar që tregon se kur do të fillojë botërori i Formula 1 për 2020. Por duke parë panoramën ndërkombëtare, mendohet që mund të nisë edhe në verë. Përfaqësuesi i “Liberty Media”, kompanisë që zotëror të drejtat e Formulës , Çejs Keri, ka folur për situatën e deritanishme.
“Po mendojmë që botërori të nisë në verë, – ka thënë Keri, – me një kalendar të ribërë që do të përfshijë 15 apo 18 gara. Por, që të quhet një kampionat i mirëfilltë dhe të shpallet piloti “kampion” dhe skuadra “kampione”, duhen zhvilluar të paktën 8 gara. Pra duket se makinat dhe pilotët do të dalin për herë të parë në pistë pikërisht në javët tradicionale të pushimeve verore. Dhe ne do ta shtyjmë fundin e sezonit deri më 29 nëntor 2020.”
Megjithatë asgjë nuk është e sigurt. Nëse Azia do të dalë e para nga inkubi i Covid-19, Botërori do të nisë atje, për të vazhduar më pas në vendet ku do të ketë autorizim se epidemia ka kaluar. “Nuk është e mundur të përcaktojmë një kalendar më specifik për shkak të situatës së papërcaktuar që po përjetojmë, – ka shpjeguar Keri, – por po monitojmë situatën në të gjitha shtetet që presin garat e Formula 1. Presim të kemi informacione më të sakta muajin e ardhshëm”.
Pra duket se vullneti për të bërë një Botëror të Formulës 1 në 2020 sidoqoftë ekziston.