AlbanianSport.com 24/03/2020 22:35
ASNN – Dorëzohet IOC-ja dhe Japonia, edicioni i 32-të i Lojërave Olimpike mbahet vitin që vjen. Kishte mbetur si “kështjella” e fundit që po i bënte qëndresë epidemisë, por të martën, edhe ajo ka rënë. Olimpiada e Tokios, që supozohej të mbahej këtë verë në kryeqytetin japonez, është shtyrë zyrtarisht. Lojërat e 32-ta Olimpike, që supozohej të mbaheshin në kryeqytetin e Japonisë, Tokio, nga data 24 korrik, deri më 9 gusht 2020, do të zhvillohen në një datë përtej vitit 2020, por jo më vonë sesa vera e vitit 2021.
Ky është vendimi zyrtar që kanë bërë të ditur të martën pasdreke Komiteti Olimpik Ndërkombëtar, IOC, dhe Komiteti Organizator i Olimpiadës “Tokio 2020”. Ky vendim drastik erdhi si pasojë e epidemisë së koronavirusit, që ka përfshirë mbarë globin. Sidoqoftë, interesant është fakti se, edhe pse do të zhvillohen vitin që vjen, ato do të mbajnë prapëprapë emrin “Lojërat Olimpike Tokio 2020”. Ky vendim vjen vetëm 122 ditë përpara mbajtjes së ceremonisë së hapjes së këtyre Lojërave Ompike.
Ajo duhej të zhvillohej në Stadiumin e ri Kombëtar të ndërtuar enkas në kryeqytetin e Japonisë. Një deklaratë e përbashkët e IOC-së dhe Komitetit Organizator të “Tokio 2020” bën të ditur se, pas informacionit të marrë nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, Presidenti i IOC-së dhe Kryeministri i Japonisë kanë ardhur në përfundimin se Lojërat e 32-ta Olimpike, që supozohej të mbaheshin në kryeqytetin e Japonisë, Tokio, do të zhvillohen në një datë përtej vitit 2020.
Por jo më vonë sesa vera e vitit 2021, në mënyrë që të mbrohet shëndeti i sportistëve, të gjithë atyre që janë përfshirë në këtë Olimpiadë, por edhe të komunitetit ndërkombëtar. Një vendim i tillë u mor pas një diskutimi nëpërmjet një video-konference midis Kryeministrit të Japonisë, Shinzo Abe, kreut të Komitetit Organizator të “Tokio 2020”, Mori Joshiro, Governatores së Tokios, Koike Juriko, dhe Presidentit të IOC-së, Tomas Bah.