AlbanianSport.com 24/03/2020 21:40
ASNN – Lojtarë e lojtare, trajnerë apo edhe ikona të këtij sporti i bashkohen nismës së Federatës. Epidemia e koronovirusit, e cila, sikundër në shumë fusha të jetës në vend ka ndërprerë edhe veprimtaritë sportive, ka bërë që të edhe sporti të solidarizohet. Dhe një nga sportet që ka spikatur është volejbolli, aty ku gjithçka ka nisur me një status para pak ditësh në profilin zyrtar në rrjetin social Facebook të presidentit të Federatës Shqiptare të Volejbollit, Erlind Pëllumbi.
“Së fundmi po përballemi me një kundërshtar të padukshëm, siç eshte COVID-19, që po rrezikon seriozisht jetët tona”, – shkruan ai, duke vijuar: “Që kjo situatë të kalojë sa më shpejt, ka nevojë që të gjithë në, me durim, të zbatojmë rregullat e lojës ashtu siç duhet. Duhet të qëndrojmë në shtëpi, të kujdesemi për higjienën tonë, për ta mbajtur sa më larg këtë kundërshtar, që nuk luan një lojë “Fair”. Nëse tregohemi të duruar, jam i sigurt që do ta mundim që ndeshjen e parë këtë tinzar, madje, me pikë të vogla.”
“Uroj që shumë shpejt do të kthehemi në fushat tona, më të fortë se kurrë!”, – përfundon kreu i rrjetës kuqezi. Pas tij kanë vijuar të dërgojnë videomesazhet e tyre një numër lojtarësh dhe lojtaresh, trajnerësh apo edhe ish-lojtarësh të famshëm, disa prej të cilëve po ua sjellim këtu pa koment në videon e mëposhtme: