AlbanianSport.com 09/03/2020 22:35
ASNN – Në mbyllje të intervistës së posaçme për Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar, Engin Fërati ka bërë edhe analizën e deritanishme të sezonit të Vllaznisë, duke përvijuar edhe pritshmëritë. “Ne duhet ta shohim çështjen që nga fillimi, – ka thënë ai. – Fillimi i sezonit ishte mjaft i vështirë, për shkak të faktorëve politikë, të zgjedhjeve lokale dhe të pasojave. Kështu, në qershor Vllaznia nuk kishte skuadër, nuk kishte asgjë dhe ishte e pamundur të bënim diçka për arsye të situatës. Prandaj, ne i nisëm shumë vonë përgatitjet dhe ishim të sigurt se fillimi i sezonit do të ishte mjaft i vështirë.”
“Megjithatë, arritëm ta kapërcejmë këtë periudhë me sukses dhe besonim se gjysma e dytë e sezonit do të ishte më e mirë, – ka vijuar 49-vjeçari. – E rëndësishme ishte merkatoja e janarit, ku trajneri Mirsad Jonuz bëri listën e përforcimeve që kishte nevojë dhe administratori Suad Lici bëri më të mirën e tij për ta bërë realitet këtë listë. Për këtë arsye, ishim të sigurt se gjysma e dytë, do të ishte më e mirë. Por, nuk mund të themi se patëm rezultatet që dëshironim nga Vllaznia, sepse cilësia vetjake e lojtarëve të kësaj skuadre është mjaft më e mirë sesa sasi e pikëve që ajo ka grumbulluar.”
“Ajo që më shqetëson është se këto javët e fundit, skuadra ka pasqyruar mungesë përqendrimi dhe kjo është parë edhe tek mënyra e pësimit të golave të lehtë, – ka thënë trajneri i përfaqësueses së Moldavisë. – Pra, nëse skuadra luan e bashkuar, e përqendruar, besoj se rezultatet nuk do të mungojnë, pasi kjo skuadër ka cilësi në përbërje të saj. Unë besoj që trajneri Jonuz do të arrijë t’ia dalë kësaj dhe të marrë rezultatet që do të na kënaqin të gjithëve. Kemi ende mundësi që ta mbyllim sezonin me nota pozitive.”
“Dhe për këtë arsye, Kupa e Shqipërisë mbetet mjaft e rëndësishme, sepse është mënyra më e mirë për të shkuar në Kupat e Evropës sezonin e ardhshëm, – ka theksuar turku. – Prandaj shpresoj që ky sezon të ketë një fund të lumtur dhe besoj në një gjë të tillë, por lojtarët dhe e gjithë skuadra duhet ta kuptojnë që kjo arrihet me punë të madhe dhe përqendrim. Siç e keni parë, niveli i kampionatit shqiptar këtë sezon është shumë i lartë, pasi të gjitha skuadrat luftojnë për diçka dhe, nëse nuk përqendrohemi, nuk do të arrijmë t’i përmbushim synimet tona.”
“Do të dëshiroja që të kishim edhe një nivel tjetër gjykimi nga ana e gjyqtarëve shqiptarë, sepse deri më tani, ata kanë lënë për të dëshiruar, sidomos në drejtim të Vllaznisë”, – ka përfunduar Engin Fërati, turku që përveç detyrës së trajnerit të Moldavisë, kryen edhe atë të drejtorit sportiv të Vllaznisë së Shkodrës.