AlbanianSport.com 02.12.2014 15:15
ASNN – Komisioni i Apelit i organizmit që qeveris futbollin evropian, UEFA, i cili është mbledhur sot për të dëgjuar pretendimet e palëve mbi çështjen e ndeshjes së ndërprerë të 14 tetorit Serbi-Shqipëri, pritet që ta shpallë sonte ose nesër vendimin e tij. Një gjë e tillë është bërë e ditur nga Federata Shqiptare e Futbollit, në një deklaratë të shkurtër për shtyp të botuar në faqen e saj zyrtare në Internet.
Gjithçka ka nisur në orën 09:00, ku Apeli është me dëgjimin e dy palëve, proces që normalisht ka vijuar për disa orë. Kjo për arsye se dosjet e secilës palë përmbanin rreth 1,000 faqe. Dhe sipas njoftimit të FSHF-së, pasi ka dëgjuar argumentet juridike të palëve, të përmbledhura në materiale me fakte, video dhe foto, si dhe është njohur me deklaratat e drejtuesve e zyrtarëve të ndeshjes, Komisioni i Apelit është tërhequr pasdite vonë për të marrë një vendim.
Vendimi pritet t’u deklarohet palëve (Federatës Shqiptare të Futbollit dhe Federatës Serbe të Futbollit) brenda mbrëmjes së sotme ose nesër paradite. FSHF-ja ka deklaruar se Shqipëria do të kërkojë 3 pikët në tavolinë për ndeshjen e 14 tetorit, ndërsa Federata Serbe kërkon riluajtjen e ndeshjes në fushë asnjanëse. Nëse FSHF-ja nuk do të mbetet e kënaqur nga vendimi i Apelit, do ta çojë çështjen në Këshillin e Arbitrazhit Sportiv, në Lozanë të Zvicrës.