AlbanianSport.com 07/03/2020 20:30
ASNN – Aventura e Zvonimir Bobanit në klubin e Milanit, i ka orët e numëruara. Drejtuesi i kuqezinjve është një “ish” për të gjithë tashmë dhe po përgatitet të largohet zyrtarisht nga kuqezinjtë. Nëse një ditë më parë, vizita e Ivan Gazidisit në Milanelo, mungesa e kroatit, Maldinit dhe e Masarës, ishin një fotografi e situatës, tashmë letra e mbylljes së marrëdhënieve “për një çështje të drejtë”, e dorëzuar nga Bobani, tregon se largimi është vetëm një formalitet.
Pra është e qartë tani se Boban është pushuar nga puna. Drejtuesi kroat po paguan pasojat e mospajtimit me vendimet e deritanishme të shoqërisë së drejtuar nga Gazidisi. Elioti e ka quajtur situatën destabilizuese, duke i dhënë besim të plotë administratorit të deleguar të kuqezinjve, një njeri i besuar i fondit amerikan. Mbaron kështu, pas vetëm pak muajsh, eksperienca e Bobanit si drejtues i kuqezinjve.
Gjatë këtyre ditëve, i vetëdijshëm për fatin e tij, kroati ka vazhduar rregullisht punën e tij, por tani ka mbërritur vërtet fundi. Një vendim që për momentin prek vetëm Bobanin. Ndërsa Maldini, duke parë situatën, nëse nuk largohet tani, vendimin mund ta shtyjë të paktën deri në fund të sezonit. Nuk mbetet tjetër vetëm të presim komunikimin zyrtar për largimin. Pra një tjetër revolucion drejtuesish te Milani është gati për t’u servirur.