AlbanianSport.com 07/03/2020 17:45
ASNN – Luftëtari ndodhet në një situatë tepër të vështirë në renditjen e Kategorisë Superiore. Pas 25 javësh kampionat, skuadra gjirokastrite ndodhet në vendin e 9-të me 13 pikë.
E të dielën do të presë në stadiumin e vet, Bylisin. Në situatën që ndodhen, trajneri i Luftëtarit, i cili është i 5-ti këtë sezon në stolin gjirokastrit, Neritan Novi, shprehet se do të jetë i kënaqur edhe me një barazim.
Pas incidentit në dhomat e zhveshjes, në ndeshjen e fundit, duket se situata te Luftëtari është rikthyer në normalitet. Trajneri Novi e lidh këtë episod me papjekurinë e moshës së re që kanë lojtarët.
Për sfidën me Bylisin, Luftëtarit do t’i mungojnë dy lojtarë kryesorë, Dushkaj dhe Dragoshi. Megjithë pakënaqësinë e rezultateve që kanë tifozët, Novi u bën thirrje tifozëve që të vijnë ta mbështesin skuadrën në sfidën ndaj Bylisit.