AlbanianSport.com 22/02/2020 16:50
ASNN – Andrea Janone është në pritje të njohë fatin e tij, pas pezullimit për doping që nga 17 dhjetori i vitit të kaluar. Gjykata Ndërkombëtare e Disiplinës e Federatës Botërore të Motoçiklizmit (FIM), ka kërkuar më shumë kohë për të analizuar rastin, pas seancës së 4 shkurtit, por piloti italian ka qenë protagonist në prezantimin e “Aprilias” së re, RS-GP 2020, në Losail, ku do të zhvillohen testet e fundit dimërore.
Aty do të nisë edhe Botërori i Moto GP, me garën e parë, atë të Katarit më 8 mars 2020. “Motori është shumë i bukur dhe është një hap përpara, – ka thënë Janone. – Shpresoj ta provoj sa më shpejt të jetë e mundur. Më vjen keq që nuk mund të garoj që tani, por nuk jam i demotivuar. Nuk jam mësuar me gjykatat, pasi hobi im janë motorët dhe pista.”
“Po stërvitem çdo ditë për të qenë gati kur të vijë momenti”, – ka shtuar Janone, i cili ka folur edhe për punën që ka bërë skuadra e tij. “Kemi vuajtur sezonin e kaluar, – ka thënë ai. – Por në 2020 jemi më të përqendruar. Jam pjesë e projektit të ri të skuadrës. Motori i ri është bërë edhe në sajë të udhëzimeve të mia. Për momentin ëndërrojmë të arrijmë të mirën në Botëror.”