AlbanianSport.com 21/02/2020 21:05
ASNN – Verilindorët kryesojnë deri 6 minuta para fundit, por bardheblutë godasin dy herë për 3 pikët. Në duelin e kreut që ngriti siparin e javës së 23-të të Kategorisë Superiore, Tirana ka kapërcyer pësimin e një goli, duke shënuar dy herë në fund dhe duke mposhtur kështu Kukësin. Fitorja 2-1 i ngjit bardheblutë kryeqytetas të vetëm në krye të renditjes, me 44 pikë, dy më tepër sesa verilindorët. Kategoria Superiore ka luajtur të premten në mbrëmje ndeshjen e parë të javës së 23-të e Tirana ka kapërcyer pësimin e një goli, duke shënuar dy herë në fund dhe duke mposhtur kështu Kukësin.
Pjesa e parë e takimit të zhvilluar në Stadiumin “Arena Kombëtare” ka nisur e vrullshme dhe është Tirana që ka qenë më pranë golit, madje dy herë brenda 6 minutave të para. Fillimisht Muçi provon me një gjuajtje të rrezikshme drejt portës, por pret me vështirësi portieri Xhika, ndërsa më pas Kobina depërton në zonë, por futbollisti bardheblu ndalet nga portieri i verilindorëve në momentin e fundit. Në minutën e 26-të, Kukësi gjen rrugën e rrjetës me Shkurtajn, por goli anulohet, pasi gjyqtari kishte fishkëllyer më herët për faull në sulm ndaj Vangjelit.
Përtej një pretendimi menjëherë më pas, të Kobinasë për një 11-metërsh, pas kontaktit me Obanor, por për gjyqtarin gjithçka e rregullt, është Kukësi që ka shansin ta mbyllë pjesën e parë në epërsi. Në minutën e fundit të pjesës së parë, Rroca godet pas pasimi të zgjuar të Valon Ethemit, por gjuajtja me të djathtën e mesfushorit ka përfunduar jashtë. Me rrjeta të paprekura është mbyllur pjesa e parë, ndërsa e dyta ka nisur me Tiranën më kërkuese në lojën e saj. Por, përkundër rrjedhës së lojës, Kukësi ka gjetur golin në minutën e 53-të.
Musta depërton bukur nga e majta dhe harkon një top në zonë për Shkurtaj, por Vangjeli është i pafat, teksa e devijon atë në portën e tij. Kukësi është në revansh dhe Tirana e rrëmujshme dhe e turbullt, dhe, pas shpërthimit nga e djathta në minutën e 59-të, Abazaj shërben për Ethemin në zonë, por Doka largon rrezikun. 8 minuta më pas, është vetë Abazaj që lëviz bukur dhe provon me një goditje drejt portës, por topi shkon jashtë, ngjitur me shtyllën. Në minutën e 70-të, Torrasa rrezikon për Tiranën me një goditje me kokë brenda zonës, me topin që përfundon mbi shtyllën horizontale.
Ndërsa 14 minuta më pas, Teqja ndëshkohet me kartonin e dytë të verdhë dhe largohet nga loja me karton të kuq, duke e lënë Kukësin me 10 lojtarë. Dhe ky do të rezultojë çasti vendimtar i gjithë ndeshjes, pasi, nga goditja e lirë që do të ekzekutohet më pas, Batha do të përshëndesë rrjetën, duke barazuar shifrat në 1-1. Dhe vetëm dy minuta më pas, Tirana do të përmbysë gjithçka, pasi Torrasa do të gjejë golin e dytë të bardhebluve. Përtej 7 minutave shtesë, Tirana mposht Kukësin në atë që ishte rezultati i 11-të pozitiv radhazi i kryeqytetasve nën drejtimin e trajnerit Emanuel Egbo.
Ndërkohë, fitorja 2-1 i ngjit bardheblutë kryeqytetas të vetëm në krye të renditjes, me 44 pikë, dy më tepër sesa verilindorët.