AlbanianSport.com 20/02/2020 20:50
ASNN – Italianët fitojnë 2-0 ndaj Ludogoretsit të Razgradit, takimi erdhi direkt në RTSH 1. Interi ka fituar me dy gola në pjesën e dytë në Bullgari ndaj Ludogorecit të Razgradit, në takimin e vlefshëm për turin e 32-shes së Ligës së Evropës. Kjo ndeshje u soll për sportdashësit të enjten nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar. Veprimtaria e dytë e klubeve të kontinentit, Liga e Evropës, është rikthyer të enjten në mbrëmje në Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar, me takimet e para të turit të 32-shes.
Dhe takimi i përzgjedhur për sportdashësit nga transmetuesi publik në kanalin RTSH 1, ka qenë përballja e zhvilluar në Bullgari, midis Ludogoretsit të Razgradit dhe Interit. Në fakt, pjesa e parë e kësaj përballjeje, që ka nisur të luhet në orën 18:55, ka qenë e varfër, me një lojën nën nivelin mesatar, me skuadrën mike të pasaktë në finalizimin e aksioneve dhe me vendasit më të interesuar për të prishur lojën e kundërshtarëve, sesa për të ndërtuar aksione të mirëfillta sulmuese.
Për rrjedhojë, pjesa e parë e takimit është mbyllur me rrjeta të paprekura, por e dyta nis më mirë për italianët, që shohin portierin bullgar dhe shtyllën e portës së tij t’i mohojnë golin në minutat e para. Por goli për Interin do të vijë në minutën e 71-të, kur Erikseni do të përshëndesë rrjetën e portës vendase. Pak minuta më pas, danezi do të ketë mundësi të dyfishojë epërsinë e Interit, por do të ndalet nga shtylla horizontale.
Sidoqoftë, skuadra mike do të gjejë edhe një gol të dytë në minutat shtesë të takimit, pasi Sistemi i Ndihmësgjyqtarit të Videos (VAR), do të akordojë një 11-metërsh në favor të Interit dhe Lukaku nuk gabon nga pika e bardhë, duke vulosur fitoren e skuadrës së tij me shifrat 2-0 ndaj Ludogoretsit të Razgradit.