AlbanianSport.com 20/02/2020 19:00
ASNN – I mbiquajtur “Stamboll 20”, topi që do të përdoret për finalen e këtij sezoni të Ligës së Kampioneve në Stadiumin Olimpik “Atatyrk” ka një hartë të punuar me dorë të qytetit të famshëm turk, me nuanca të purpurta. Kështu, kompania e njohur ndërkombëtare e veshjeve dhe pajimeve sportive, “adidas”, ka zbuluar topin që do të përdoret në finalen e veprimtarisë më prestigjioze të klubeve të kontinentit, që do të luhet në Stamboll më 30 maj 2020.
Duke u frymëzuar nga qyteti mikpritës, aty ku perëndimi përqafon lindjen, dizenjoja spikat për një interpretim të hollësishëm me dorë të hartës historike të qytetit të Stambollit, që shërben si urë lidhëse midis dy kontinenteve, Evropës dhe Azisë. Duke e vënë theksin tek arti i pamatë i Stambollit, yjet e bardha simbol të Ligës së Kampioneve janë vendosur për të bërë kontrast me hartën e vizatur me dorë të qytetit. Ngjyra e purpurt simbolizon qiellin në muzgun që ndan lindjen nga perëndimi.
Ky top është prodhuar me teknologjinë e fjalës së fundit nga “adidas”, për të bërë të mundur që lojtarët më të mirë të botës të japin më të mirën e tyre në veprimtarinë më prestigjioze të klubeve të kontinentit. Veshja e jashtme strukturore, që është tipike për të gjithë topat e Ligës së Kampioneve që ofron “adidas”-i sigurojnë një kontroll më të sigurt dhe më të plotë.
Ndërsa yjet e shkrirë nga nxehtësia ofrojnë një sipërfaqe të përsosur për prekjen e parë. “Stamboll 20”, ka nisur të përdoret për të gjitha ndeshjet e turit të 16-shes së Ligës së Kampioneve dhe do ta vijojë udhëtimin deri në finalen e madhe.