AlbanianSport.com 19/02/2020 20:30
ASNN – Stadiumi i ri… nga frika se mos ishte tepër i shtrenjtë, teksa frika e përdorimit të tepruar. Ndonëse pati ekzistuar frika se Stadiumi i ri Kombëtar, do të ishte shumë i shtrenjtë dhe i papërballueshëm për klubet shqiptare të futbollit, 2020-ta ka përjetuar një tjetër realitet për futbollin shqiptar dhe tempullin e tij të ri kuqezi. Brenda vetëm 11 ditëve, në Stadiumi “Arena Kombëtare” do të luhen plot 9 ndeshje, çka ka ngritur shqetësim për mbipërdorim të tij.
Kur u ndërtua, duke patur parasysh edhe koston e tij jo dhe aq të vogël, por edhe pagesën për kushtet që do të ofronte, pati ekzistuar frika se Stadiumi që u ndërtua mbi gërmadhat e ish-“Qemal Stafës”, do të ishte shumë i shtrenjtë dhe i papërballueshëm për klubet shqiptare të futbollit. Një stadium afro 80 milionë euro, që u përurua me një ndeshje luksi siç ishte ajo përballë Francës në nëntor, dukej si tepër i shtrenjtë për t’u përdorur çdo javë nga futbolli shqiptar.
Kjo u përforcua edhe nga ideja që e vetmja ndeshje tjetër që u luajt aty gjatë 2019-ës, ishte derbi i 13 dhjetorit, midis Partizanit dhe Tiranës, që u fitua nga bardheblutë me rezultatin 2-1. Megjithatë, 2020-ta ka përjetuar një tjetër realitet për futbollin shqiptar dhe tempullin e tij të ri kuqezi. Fundi i janarit dhe fillimi i shkurtit sollën dy ndeshje të tjera të kampionatit kombëtar, Kukësi-Partizani 1-0 dhe Tirana-Teuta 2-1, ndërsa, pas një pauze 13-ditore, është luajtur edhe një tjetër ndeshje, Tirana-Skënderbeu 1-1.
Megjithatë, mesi i shkurtit ka sjellë një tjetër fenomen shqetësues, gjë që është pasqyruar edhe në gjendjen e tapetit të gjelbër. Më 11 shkurt, më 13 shkurt dhe më 16 shkurt, aty janë luajtur plot 6 ndeshje të “UEFA Development Tournament”, turneut të futbollit për Nën-16-vjeçaret. Ndërkaq, më 15 shkurt, u luajtur Tirana-Skënderbeu, kurse qershia mbi tortë është ajo që u mësua të mërkurën, që dy ndeshje të javës së 23-të do të luhen brenda dy ditëve të fundjavës në Stadiumin e ri Kombëtar.
Kështu, të premten, më 21 shkurt, do të luhet, duke nisur nga ora 18:00, përballja e kreut, Kukësi-Tirana, ndërsa pa u mbushur ende 24 orë, në orën 17:00 të së shtunës, zbresin në fushën e blertë për t’u përballur me njëra-tjetrën Partizani dhe Bylisi. Me pak fjalë, brenda vetëm 11 ditëve, në atë stadium do të luhen plot 9 ndeshje. Mbetet për t’u parë se në ç’gjendje do të jetë tapeti i gjelbër, natyrisht, duke shpresuar të mos bjerë shi…
Megjithatë, përtej shiut të mundshëm, duket se Stadiumi Kombëtar dhe fusha e tij është tashmë nën një rrebesh ndeshjesh…!