AlbanianSport.com 18/02/2020 22:20
ASNN – Helmut Marko, drejtuesi i “Red Bull”-it, kërkon t’i ngrejë moralin Sebastian Fetelit. Ai i ka treguar pilotit gjerman se si mund të dalë nga kjo gjendje amullie, duke i kujtuar se ai është 4 herë kampion bote në Formula 1. E si i tillë, këtë duhet ta tregojë edhe në vazhdim me “Ferrari”-n. Kur një drejtues e ka shijuar një pilot kaq shumë, është normale që ai të ruajë vëmendjen ndaj tij pa marrë parasysh se ka shkuar në një skuadër tjetër.
Bëhet fjalë për Sebastian Fetelin, studentin më të suksesshëm në historinë e skuadrës së “Red Bull”-it, për të cilin Helmut Marko mund të flasë pafund, duke filluar nga një marrëdhënie vëllazërore midis tyre, e kurorëzuar ajo me 4 tituj të fituar në F1. Austriaku e di se gjermani nuk po kalon momentin e tij më të mirë tek “Ferrari”, e kjo është arsyeja pse ai flet, duke treguar për mënyrën se si Sebi mund të vazhdojë të qëndrojë midis pilotëve më të mirë.
E ai fillon duke fajësuar Fetelin, si shkaktarin kryesor që nuk është më piloti i pari i “Ferrari”-t. “Me paraqitje e tij më të mirë, Sharl Lëklerku ka bërë që Sebastiani të humbasë statusin e tij si numri 1 i makinës së kuqe”, – thotë ai. Dhe duke parashikuar se çfarë mund të thotë kjo për gjermanin në rast se vazhdon këtë vit, po njësoj si në sezonin e kaluar, Marko e këshillon kështu gjermanin se çfarë duhet të bëjë: “Nëse Sebastian do të vazhdojë më tej, të ketë një kontratë të paguar mirë me një ekip konkurruese, ai duhet të bëjë një sezon shumë të mirë këtë vit”.
Dhe si mund ta bëjë këtë piloti i “Ferrari”-t? “Ai do të duhet të largohet nga zona e tij e rehatisë”, – thotë Marko. Kështu që Feteli, i cili ka qenë një pjesë të madhe të karrierës së tij, duke u diktuar ritmin skuadrave në të cilat ka qenë, do të duhet të mësojë të ndalë kryesuesin, të jetë me këmbë në tokë dhe të luftojë si i barabartë me të. Detyrë e vështirë kjo para një rivali si Lëklerku, por Helmut Marko i kujton Sebit një të vërtetë të madhe.
“Ai është dhe mbetet 4 herë “kampion bote” në Formula 1. Por nuk do të jetë aq e lehtë për të sikur ishte me ne, sepse makina e “Ferrari”-t nuk është mbizotëruese”, – ka përfunduar drejtuesi austriak.