AlbanianSport.com 18/02/2020 21:25
ASNN – Me numrin 18 të përzgjedhur në fanellë, te Milani, Ante Rebiçi, kërkoi të bëhej kroati i pestë në historinë e klubit si shënues, pas Bobanit, Simiçit, Pasaliçit dhe Kaliniçit. Gëzimi i parë për tifozët milanistë vjen pas dy golave të shënuar, për të mundur Udinezen, në 19 janar.
Dy gola që shuajnë hidhërimin për mos gjetjen e hapësirës në lojë si nga trajneri Xhampaolo, ashtu edhe nga Pioli. E në vazhdimësi vjen goli i suksesit ndaj Breshias. Më pas goli i barazimit 1-1 në Kupën e Italisë ndaj Juventusit, e deri në golin me vlerën e 3 pikëve të hënën ndaj Torinos.
Të gjitha këto për të treguar se si Rebiç është transformuar në “njeriun gol”, kur në 2020-ën ka realizuar 50 % të golave të Milanit në Serinë A. Rebiçi është sulmues i dytë, vrapon shumë, bën shumë kilometra në ndihmë të skuadrës. Por, pas ardhjes së Ibrahimoviçit tek Milani, ai ka gjetur njeriun e duhur për të krijuar dyshen sulmuese.
Përtej të gjithave, po flasim për një “nënkampion bote”, një lojtar që është i zoti për të bërë gjëra të mëdha. Në 2018-ën, me dy gola të shënuar ndaj Bajernit, ai i dha Eintrahtit të Frankufrtit trofeun e Kupës së Gjermanisë pas 30 vitesh mungesë, e tani po e ndihmon Milanin të shkojë në Evropë.
E Milani, që po mundohet për një pozicion më dinjitoz në renditjen e Serisë A, mund të mbështetet tashmë te Rebiçi.