AlbanianSport.com 12/02/2020 18:20
ASNN – Drejtori Binoto, analizon risitë e këtij viti, ceremonia erdhi direkt në RTSH Sport. “Ferrari” ka zbuluar të mërkurën në mbrëmje makinën e re për vitin 2020, të mbiquajtur “SF1000”, që do të pilotohet edhe për këtë sezon nga Sebastian Feteli dhe Sharl Lëklerku. Sikundër çdo eveniment madhor sportiv, edhe ceremonia e prezantimit u soll për sportdashësit drejtpërdrejt në Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar, që është edhe transmetuesi zyrtar i Formulës 1 në Shqipëri.
Në një ceremoni ekstravagante, të zhvilluar në teatrin e famshëm “Romolo Vali” në Rexhio Emilia, 30 km larg nga Maranelo, “Ferrari” ka zbuluar makinën e re për vitin 2020, të mbiquajtur “SF1000”, që do të pilotohet edhe për këtë sezon nga Sebastian Feteli dhe Sharl Lëklerku. Pas një prezantimi spektakolar, që përfshinte një orkestër, një kor dhe balerinë, por edhe fjalimeve nga kreu ekzekutiv i “Ferrari”-t, Luis Kamileri, dhe drejtuesi i skuadrës, Matia Binoto, dhe me një sfond ku pasqyrohej historia e “Ferrari”-t në Formula 1, makina e re bëri debutimin e saj.
Binoto ka konfirmuar se “SF1000”, e mbiquajtur kështu për të festuar vitin në të cilin “Ferrari” do të zhvillojë garën e 1,000-të në Botërorët e Formulës 1, është një përmirësim i “SF90”-ës së vitit të shkuar, makinës që u rendit e dyta në Botërorin e konstruktorëve në 2019-ën, me rregullimet teknike që kanë mbetur të qëndrueshme për 2020-ën, përpara rishikimit madhor të rregullave të Formulës 1 për 2021-shin. Por Binoto nxitoi të theksonte se skuadra italiane ishte munduar ta çonte sa më larg të mundej gjithë idenë e makinës së 2020-ës.
“Natyrisht që ne jemi nisur nga makina e vitit të shkuar, por qasja jonë për makinën e këtij viti është tërësore dhe e shtyrë në kufinjtë e mundshëm”, – tha Binoto, duke vijuar: “Mund të duket e ngjashme me makinën e vitit të shkuar, por është krejt e ndryshme nga ajo e vitit shkuar dhe një numër konceptesh të këtij viti janë revolucionarizuar.” Kreu i skuadrës italiane tha se pika kyçe e “Ferrari”-t të 2020-ës do të ishte përmirësimi i qëndrueshmërisë, si dhe korrigjimi i gjithë të metave të vërejtura sezonin e shkuar.
Një sezon ku “Kokëkuqja” grumbulloi vetëm 504 pikë kundrejt totalit mbresëlënës prej 739 pikësh të “Mercedes”-it. Nëpërmjet Fetelit dhe Lëklerkut, makina e re “SF1000” do të ketë si mision parësor rikthimin e “Ferrari”-t tek titulli i konstruktorëve, që mungon që nga viti 2008-ës, ndërsa dy pilotët do të synojnë të parin titull të kampionit të botës që nga ai sukses i Kimi Raikonenit në 2007-ën. Makina e re “SF1000” do të bëjë xhirot e para brenda një jave, kur të nisë faza e parë e testimit parasezonal në pistën e Barcelonës, më 19 shkurt.