AlbanianSport.com 10/02/2020 22:40
ASNN – Atletika, në Ballkaniadë me fonde alternative, peshëngritja shtyn kampionatin. Mosçelja e fondit “grant” për Federatat ka nisur të shkaktojë edhe pasojat e para. Një nga sportet që ka vuajtur këtë vonesë është edhe atletika, ashtu sikundër ka ndodhur edhe peshëngritjen, që ka shtyrë me një javë Kupën e Shqipërisë. Ndonëse ka nisur java e dytë e shkurtit, sporti shqiptar është ende në ngërç. Edhe pse vëmendja kryesore ka qenë tek kaosi që pati përfshirë Komitetin Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH), çështje që në njëfarë mënyre mori zgjidhje me Asamblenë e së dielës, mosçelja e fondit “grant” për Federatat ka nisur të shkaktojë edhe pasojat e para.
Kështu, një nga sportet që ka vuajtur këtë vonesë është edhe atletika, e cila ka dërguar, me shpenzime private, një delegacion modest në Kampionatin Ballkanik të Nën-20-vjeçarëve në Salla të Mbyllura, që u mbajt në Stamboll. Në këtë veprimtari spikati sportistja 16-vjeçare Redia Dauti, e cila u shpall nënkampione e Gadishullit në garën e 1,500 m, duke u renditur e dyta edhe pse me një moshë 3-4 vjet më të vogël sesa konkurrentet e tjera. Një tjetër sport që po vuan vonesën e çeljes së fondit “grant” është edhe peshëngritja, e cila ka humbur dy turne të vlefshëm për grumbullimin e pikëve, siç ishte ai i Çmimit të madh të Tashkentit në Uzbekistan, por edhe Kupa e Botës në Romë.
Jo vetëm kaq, po edhe veprimtaria tradicionale kombëtare që ngre siparin e vitit sportiv për shtangën kuqezi, Kupa e Shqipërisë, e cila ishte planifikuar të mbahej në më 28 shkurt 2020, është shtyrë me një javë dhe do të mbahet më 6 mars 2020 në Durrës. Kjo shtyrje është bërë me shpresë se deri në fund të muajit, fondi “grant” të jetë çelur dhe sporti të marrë frymë lirisht, ndonëse duhet theksuar se, për shkak të arsyeve të tjera, siç ishte tërmeti i 26 nëntorit të viti të shkuar, pjesa që buxheti i shtetit të ndajë mënjanë për sportin, të jetë më e vogël sesa ajo e viteve të mëparshme.
Ndërkaq, në Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, nuk të japin ende një përgjigje se kur do të çelet ky fond, duke u mjaftuar me përgjigjen e shkurtër, “Së shpejti”.