AlbanianSport.com 06/02/2020 19:25
ASNN – Dibranët zyrtarizojnë pasuesin e Dorian Bubeqit të larguar pak ditë më parë, Dinamo, prova e parë e elbasanasit. Pak ditë më parë ka shkarkuar trajnerin, ndërsa të enjten në mbrëmje ka bërë të ditur edhe emrin e trajnerit të ri. Pas humbjes kundër Burrelit me rezultatin 1-2, në takimin e radhës në grupin A të Kategorisë së Parë, klubi i Korabit mbeti pa trajner.
Dorian Bubeqi dhe drejtuesit e klubit ranë dakord që të ndërpresin bashkëpunimin midis tyre dhe ish-sulmuesi kavajas përshëndeti skuadrën dhe tifozët pas më shumë se 2 vitesh drejtim të skuadrës së Peshkopisë. Ndërkohë, 4 ditë më pas, ka ardhur edhe zyrtarizimi dhe Klevis Dalipi është trajneri i Korabit. “Sot trajneri Dalipi është prezantuar përpara ekipit nga Kryetari i Bashkisë dhe Presidenti Mëziu”, – shkruhet në një postim në profilin zyrtar të klubit dibran në rrjetin social “Facebook”.
“Trajneri është personalitet i njohur në fushën e sportit dhe numëron ekipe të mëdha si lojtar ku është aktivizuar me Elbasanin, Vllaznine, Shkumbinin, Bylis, Kamza, si edhe me Feirensen, Santa Klarën, Bragançan dhe Ovarensen në Portugali, – vijon më tej njoftimi në fjalë. – Palët kanë biseduar dhe janë dakordësuar për një projekt afatgjatë mbi të ardhmen e Korabit.”
“Karriera e tij si trajner arriti kulmin tek Partizani, ku pas 7 sezonesh, mori në drejtim ekipin e parë. Kjo tregon se përkushtimi dhe besnikëria e karakterizojnë si trajner mbi të gjitha. Dalipi së fundmi ishte trajner i KF Luftetari në superiore! I urojmë mirëseardhjen Klevis Dalipit dhe suksese në drejtimin e Korabit!”, – përfundon njoftimi i klubit dhe provat e parë e elbasanasit në stolin dibran do të jetë vizita që do t’i bëjë të dielën Dinamos në kryeqytet.