AlbanianSport.com 05/02/2020 22:15
ASNN – Një tjetër garë e madhe ndërkombëtare sportive nuk do të zhvillohet në Kinë. Kështu ka vendosur Federata e Sporteve të Shangait. Bëhet fjalë për Çmimin e Madh të Kinës në Formula 1. Lajmin e ka publikuar një gazetar kinez në rrjetin social “Twitter”. Mbetet për t’u konfirmuar nga Federata Ndërkombëtare e Automobilizmit nëse kjo garë do të anulohet apo do të zhvendoset në një datë tjetër në kalendar.
Çmimi i Madh i Kinës në Formula 1, që zhvillohet në Shangai do të anulohet ose do të shtyhet. Lajmi që qarkullonte prej ditësh në botën e automobilizmit, konfirmohet nga një dokument i publikuar nga Federata e Sporteve të Shangait. Kjo ka ndezur dritën e kuqe përballë krizës shëndetësore, të shkaktuar nga “koronavirusi”, duke pezulluar të gjitha veprimtaritë sportive që do të zhvilloheshin në Kinë.
Dokumenti është shpërndarë nëpërmjet rrjetit social “Twitter” nga gazetari Qian Jun (Çin Çen). Pas anulimit të Çmimit të Madh të Formula E, i parashikuar për t’u zhvilluar në 21 mars në Sanjasë, por shkohet drejt anulimit edhe të garës së Formula 1 e programuar për në 19 prill. Këto vendime do të mbeten në fuqi derisa virusi të jetë zhdukur.
Ndërkohë, skuadrat janë në pritje të një vendimi zyrtar të Fia-s. Federata Ndërkombëtare e Automobilizmit do të konfirmojë në orët në vijim moszhvillimin e garës, ose do të përcaktojë një datë për ta rivendosur në kalendar. Shqetësim mbetet për të njëjtën arsye, edhe Çmimi i Madh i Vietnamit, që, për momentin është i konfirmuar nga organizatorët.