AlbanianSport.com 04/02/2020 21:30
ASNN – Franca ka ndërmarrë një nismë për të nxitur fëmijët që të jenë më aktivë, të frymëzuar nga Olimpiada “Paris 2024”. Ministrja e Sportit, Roksana Marasineanu, dhe Presidenti i Komitetit Organizativ për Lojërat Olimpike, Toni Estanzhe kanë filluar “Javën Olimpike dhe Paralimpike” për të aktivizuar të rinjtë. Fëmijë të shkollave fillore dëgjojnë me vëmendje ato çka u thonë Ministrja e Sportit, doktor Mishel Simes dhe Presidenti i Komitetit Organizativ për Lojërat Olimpike.
“Ne jemi një nga vendet më të pasura në botë, por jemi në vendin e 119-të nga 146 vendet e anketuara në lidhje me aktivitetin fizik të fëmijëve, – tha Simesi. – Kjo është një katastrofë e vërtetë shëndetësore. Këta fëmijë që nuk lëvizin do të kthehen në të rritur që nuk lëvizin. E kjo mënyrë jetese është një nga shkaqet tepër të rëndësishëm që çon drejt vdekjes.” Ndërsa Toni Estanzhe u tregoi fëmijëve përvojën e vet sportive. “Jeta ime ka ndryshuar plotësisht falë sportit”, – tha ai.
“Që kur isha fëmijë, unë u mësova të jem aktiv dhe të bëj aktivitet fizik në mënyrë të rregullt, – vijoi Presidenti i Komitetit Organizativ për Lojërat Olimpike, Toni Estanzhe. – Ne mësojmë të lexojmë, të shkruajmë, të llogarisim. Tani duhet të mësojmë edhe se si të lëvizim, si të ushtrojmë dhe si të kujdesemi për trupat tanë”. Ky ishte mesazhi i parë që u dha për fëmijët, të cilët duhet të ndërgjegjësohen dhe të marrin nismën për t’u bërë vullnetarë në Lojërat Olimpike Paris 2024.