AlbanianSport.com 02/02/2020 18:35
ASNN – Rrjeta e vajzave mbyll gjysmëfinalet e Kupës, përcakton dy sfidantet për trofeun e madh. Triumfi me 5 sete ndaj Partizanit, në sfidën e luajtur në Sallën Sportive “Feti Borova” në kryeqytet, i ka siguruar të dielën Barleti Volejit vendin në finalen e madhe të Kupës së Shqipërisë më 1 mars 2020, ku përballë do të ketë Tiranën. Kështu, Kupa e Shqipërisë në volejboll për femra ka luajtur të dielën takimin e kthimit të çiftit të dytë dhe, ashtu sikundër kishte bërë të premten Tirana, duke shtangur Mirditën, edhe Barleti Volej ka dhuruar një të papritur, duke mposhtur Partizanin.
Skuadra e trajnerit Artan Pogoni e pati fituar takimin e parë, të luajtur në fushën e Partizanit, me shifrat 3-2, ndërsa ka vijuar të bëjë të njëjtën gjë edhe në ndeshjen e kthimit, të luajtur të dielën në fushën fushën e vet. Triumfi me 5 sete në sfidën e luajtur në Sallën Sportive të Lojërave me Dorë “Feti Borova” në Parkun Olimpik të Tiranës, i ka siguruar kështu ekipit universitar vendin në finalen e madhe të 1 marsit 2020.
Aty ku përballë do të kenë bardheblutë e trajnerit veteran, Adrian Gorenca. Në fakt, u krijua ideja e një fitoreje të lehtë për skuadrën e Pogonit, pasi Barleti Volej i ka fituar relativisht në mënyrë komode, 25-17, 22-22, dy setet e para. Por Partizani i trajnerit Thanasi është kundërpërgjigjur duke i fituar dy setet e tjera, përkatësisht 25-20 dhe 25-21, dhe duke e çuar takimin në setin shtesë.
E atëherë kur po dukej se fitueset në fuqi po e fitonin këtë takim dhe po e çonin gjithë fatin e duelit gjysmëfinal në setin shtesë, të ashtuquajturin “Golden Set” apo “seti i artë”, është Barleti Volej që ruan gjakftohtësinë dhe triumfon. Skuadra universitare e fiton setin e 5-të, i cili ka zgjatur plot 21 minuta, me pikët shtesë, 16-14 dhe gjithë takimin 3-2, duke shkurorëzuar kështu Partizanin si fituese të trofeut të dytë rrjetës shqiptare të femrave, Kupës së Shqipërisë.