AlbanianSport.com 01/02/2020 23:55
ASNN – Luka Seki, për 3 ditë me radhë në kryeqytet, rrëfen për RTSH pritshmëritë dhe synimet. Trajneri i Kombëtares kuqezi të volejbollit për femra, Luka Seki, ndodhet në Shqipëri dhe, duke folur për Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar, ai ka zbuluar edhe arsyet e kësaj vizite. “Ka qenë pjesë e programit me Federatën për të organizuar këtë grumbullim, për të bërë një vlerësim të gjendjes dhe për të parë mundësitë e një bashkëpunimi edhe me trajnerët, duke patur në qendër të vëmendjes Kombëtaren e të rriturave, por edhe të të rejave”, – ka thënë ai.
“Pra do të jenë 3-4 ditë punë intensive, edhe me Presidentin dhe Sekretarin e Përgjithshëm për të hartuar një plan afatgjatë”, – ka shtuar italianin e stolit kuqezi, për të cilin, ky grumbullin është në vazhdën e punës së filluar vjet. “Po, i kemi parë të gjitha që nga vera e shkuar, por tani duhet të shohim se sa kanë ecur përpara, në ç’pikë janë në rrugën e tyre të rritjes dhe për të kuptuar se cila do të jetë e ardhmja e tyre, afatshkurtër dhe afatgjatë” – tha Seki. 45-vjeçari ka edhe një apel për volejbollistet e reja, sa i përket të ardhmes së tyre.
“Sigurisht, hëpërhë, më të rejat bëjnë mirë nëse e vazhdojnë këtu rrugëtimin e tyre, – ka theksuar ai. – Dhe kur të kenë arritur një nivel të caktuar pjekurie, të luajturit jashtë Shqipërisë natyrisht që ndihmon rritjen e nivelit profesionist si volejbolliste dhe uroj që të shtohen volejbollistet shqiptare që do të guxojnë të luajnë në parketin evropian.” Seki mirëpret përforcime me shqiptare që kanë lindur jashtë Shqipërisë, por thelbi i projektit të tij janë volejbollistet e reja shqiptare. “Këtë akoma nuk e di”, – ka pohuar italiani, i pyetur mbi këtë çështje.
“Hëpërhë, ne kemi nevojë të rrisim nivelin e sportisteve që kemi këtu në Shqipëri, – ka vijuar Seki. – Pastaj, nëse do të kishim ndonjë përforcim nga shqiptaret që kanë lindur jashtë, do të ishim të kënaqur, por, për momentin, projekti është për t’u rritur së bashku me trajnerët dhe me lojtaret shqiptare këtu.” Ai e pohon sidoqoftë se është e vështirë për Kombëtaren pa ndeshje eliminatore dhe pa mundësi për të provuar veten, por thekson se federata Shqiptare e Volejbollit duhet mbështetur më tepër në të gjitha aspektet.
“Po, është shumë e vështirë, por Federata Shqiptare e Volejbollit është një federatë e vogël, e cila, megjithatë, përpiqet të bëjë më të mirën e mundshme me atë burime që ka në dispozicion. Prandaj, e rëndësishme është që ajo të mbështetet nga shteti dhe nga sponsorë të ndryshëm, pasi kjo mbështetje është jetësore. Tani për tani, po kërkojmë të bëjmë më të mirën e mundshme me mundësitë që kemi”, – ka përfunduar trajneri i Kombëtares kuqezi të volejbollit për femra, Luka Seki.